NËNPRESIDENTJA BULLGARE JOTOVA VIZITON MANASTIRIN
Kufizimet ligjore për emrat e organizatave dhe të klubeve që asocojnë fashizmin, sipas Sofjes zyrtare bëhen pengesë për “zbatimin efikas të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”. Shumica e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me ndryshimet në ligjin për shoqata dhe fondacione dhe me ligjin për parti politike u kanë dhënë afat prej tre muajve klubeve bullgare në Manastir dhe në Ohër, t’i ndryshojnë emrat – Vanço Mihajllov dhe Cari Boris i Tretë, të cilët vlerësohen si profashistë. Ky është diskriminim – ka reaguar Sofja zyrtare.
Në vend të komunikimit efikas në kushte të krizës së thellë ekonomike, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut gjithnjë e më shumë ngatërrohen në çështjet për klubet e pakicave dhe emrat që për njërën palë janë heroikë, ndërsa për palën tjetër sugjerojnë fashizëm. Ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin në Shkup, pas të cilave këtyre ditëve qëndruan partitë maqedonase të pushtetit dhe të opozitës, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë janë diskriminuese dhe interpretime të njëanshme të historisë.
“Kufizime me karakter të këtillë u janë imponuar bullgarëve në Maqedoninë e Veriut edhe në të kaluarën, në vitin 2001 u ndalua organizata “Radko”, për të cilin Gjykata Evropiane për të drejta të njeriut mori vendim – përdorimi i emrit të personit të cilin shumica e percepton negativisht, nuk mund të definohet si dënim ose të paraqesë kërcënim real për rendin publik” – thonë nga ministria e punëve të jashtme, Sofje.
Por pikërisht vendimet e Gjykatës në Strazburg, që janë më shumë se dhjetë, në dobi të organizatave të Maqedonasve në Bullgari, Sofja zyrtare i mohon në mënyrë kronike. Para disa ditëve ndaloi shoqatën e Maqedonasve në Bllagoevgrad dhe e konsideron jolegjitim edhe klubin që e kanë hapur. Nënpresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, e cila disa herë ka vënë në dukje se “në kushtetutën bullgare nuk ka pakica”, sonte pritet ta vizitojë Manastirin. Vizita për njërën palë është provokim, pikërisht në Ditën e Çlirimit të qytetit, derisa pala tjetër është më e përmbajtur.
“Unë nuk dëshiroj të besoj se është provokim. Maqedonia është vend i lirë, ne jemi popull mikpritës, ne jemi popull i mirë, nikoqirë dhe nikoqire. Secili që vjen me qëllim të ndershëm është i mirëseardhur. Në qoftë se nuk ka qëllim të ndershëm dhe në qoftë se kjo vizitë shfrytëzohet për provokim politik atëherë duhet të dënohet nga autoritetet, qytetarët në Manastir dhe të gjithë aktorët në shoqëri” – tha Mickoski.
Mickoski dhe grupi i tij parlamentar në mënyrë kategorike hedhin poshtë se do të votojnë për ndryshime kushtetuese në Kuvend, për përfshirjen e Bullgarëve në vend në mesin e popujve shtetformues, që është kusht për vazhdimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në. /KlanMacedonia/
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA