Klan Debat/ Qeveria e re, ligji për riorganizimin e ministrave – debat i ashpër Fronti Evropian – VLEN

Qeveria në ardhje do të merret kryesisht me zhvillimin ekonomik rajonal të zonave të caktuara, luftën kundër korrupsion dhe krimit të organizuar dhe do të ketë ndarje proporcionale të buxhetit të shtetit për zona të caktuara.

Kështu u shprehën dy deputetët e koalicionit VLEN Saranda Imeri dhe Rijad Shaqiri gjatë emisionin Klan Debat.

Sipas deputetes Imeri, shteti është deri në palcë i korruptuar dhe i kriminalizuar dhe kjo paraqet sfidë të madhe për, megjithatë ajo tha se janë zotuar që të punojnë në përmirësimin e gjendjes.

“Kjo qeverisja e BDI-së 22 vjeçare, kjo është një oktapod që në çdo institucion, në çdo pore të institucionit ka futur këmbën ose krahun dhe kjo është një sfidë e madhe për ne, do të jetë shumë e vështirë ta shkëpusim këtë, ne zotohemi për këtë” – tha Saranda Imeri, VLEN.

Arben Ziberi nga Fronti Evropian theksoi se, koalicioni VLEN ka marrë pak ministri në Qeverinë e re dhe akuzoi ato se, kanë pranuar të jenë pjesë e koalicionit qeveritar pa asnjë kusht.

“Me këtë që përflitet sot për ndarjen e resorëve, shihet që këto kanë pranuar një pozicion shumë nënshtrues të mos them poshtërues për të gjithë ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi që prej 13 ministri dhe sot t’i krahasosh me tre ministri dhe këto qenkan më me peshë” – tha Arben Ziberi, Fronti Evropian.

Debat mes përfaqësuesve të dy blloqeve politike pat edhe rreth ligjit të fundit që u miratuar për riorganizimin e ministrive.

Pas kritikave të përfaqësuesve të Frontit Evropian se ky ligj është në dëm të komunitetit shqiptar, Rijad Shaqiri nga VLEN tha se, ai është përpiluar pikërisht nga BDI.

“Ky projektligj është propozuar nga Reçica e Vogël, kryesisht nga eksponentë të BDI-së të cilët e kanë përgatitur si projektligj dhe na kanë servuar neve, pjesa tjetër është përgatitur në zyrat e ASH-së në ikje dhe ne e kemi pranuar si ligj dhe e kemi votuar në Kuvend” – tha Rijad Shaqiri, VLEN.

Sa i përket votimit të këtij ligji, ku deputetët e BDI-së votuan pro, ndërsa ato të ASH-së e kundërshtuan, Adnan Neziri tha se, pavarësisht kësaj, Fronti Europian është kompakt dhe nuk ka përëçarje.

“Partitë i kanë mendimet e ndryshme dhe për disa raste dhe veprime të cilët kanë botëkuptimin e tyre mund të mos pajtohen, ajo nuk bën kurrë një shkapërderdhje të bashkëveprimit politik të Frontit por tregon një pavarsi dhe një guxim kushdo qoftë nga Fronti që të shprehë demokracinë, të drejtën e vendim-marrjes etj” – deklaroi Adnan Neziri, Fronti Evropian.

Kujtojmë se, Kuvendi në orët e para të së shtunës, miratoi Ligjin për Riorganizimin e Qeverisë, për të cilin votuan pro 88 deputetë.

Me këtë, Qeveria e re të ketë 20 në vend të 16 ministrive të deritashme si dhe transfere të kompetencave nga njëra në ministrinë tjetër. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share