AAA e vetmja parti shqiptare, që në qeveri hyri me marrëveshje të nënshkruar
Mes Levizjes Besa dhe Alternativës nuk ka ende marrëveshje bashkëpunimi, por vetëm një deklaratë të përbashkët politike me disa zotime. Kështu ka sqaruar në Klan Debat, Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
Sipas tij, afrimi i dy subjekteve ka qenë kërkesë e elektoratit opozitar shqiptar, që ka detyruar këto dy parti t`i lënë anash mosmarrëveshjet.
“Po ndjehet gjithkund se është një kërkesë e përgjithshme, veçanërisht e atij elektorati opozitar që të bëhet një front i përbashkët që të mund ta bëjë ndryshimin e shumëpritur tek shqiptarët në Maqedoni”, tha Zeqirija Ibrahimi
Bashkëpunimi eventual me partitë maqedonase dhe mundësia e zgjedhjes së njërit prej tyre, sipas Zeqirja Ibraimit, nuk përbën ndonjë dallim. Por, njëri prej tyre, sipas Ibraimit, ka shkelur fjalën.
“Një maqedonas a e ka emrin Dimitar apo Hristijan, janë të njejtë për mua. Bile ky Dimitari e ka shkelur një marrëveshje me neve dhe kam shumë arsye të mos i besoj. Kurse ky tjetri akoma s’ka pasur shans që të shkelë marrëveshje dhe nuk dua të paragjykoj sot”, tha Ibrahimi.
Në Klan Debat, Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, tha se Alternatia ka qenë partia e vetme shqiptare që nga pavarësia e vendit që ka hyrë në qeveri me një marrëveshje të nënshkruar e të publikuar. Kjo sipas tij nuk ka ndodhur me subjektet tjera./KlanMacedonia