Kina thirrje për qetësi pas sulmit me raketë në Poloni

Kina ka bërë thirrje për qetësi pas sulmit me raketë që i mori jetën 2 personave në një fshat të Polonisë, në kufi me Ukrainën.

“Në situatën aktuale të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë vetëpërmbajtje për të shmangur përshkallëzimin e situatës”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

Më herët, Franca bëri thirrje për kujdes maksimal sa i përket vendit nga ku erdhi raketa. Presidenti Biden tha se kishte pak gjasa që raketa të ishte lëshuar nga Rusia.

Kryeministri i Britanisë nuk ka reaguar ende, por siç shkruan BBC, Downing Street nuk pritet të ketë një qëndrim të kundërt me presidentin amerikan.

Ndërkohë, presidenti i Estonisë, Alar Karis tha se vendi i tij e sheh këtë si një incident të izoluar, por theksoi se lufta duhet të ndalet sa më parë të jetë e mundur.

Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan tha se respektonte deklaratën e Rusisë që mohonte se raketa ishte lëshuar prej saj dhe besonte se Moska nuk kishte lidhje.

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Pekka Haavisto tha se ishte e rëndësishme për t’u njohur me të gjithë detajet rreth incidentit dhe për të reaguar në mënyrën e duhur.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se përfaqësuesit e G7 dhe NATO janë në gatishmëri për të asistuar Poloninë në hetimin e saj./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share