Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka treguar për herë të parë në publik vajzën e tij të vogël. Ai është shfaqur me vajzën, që besohet se quhet Kim Chu-ae, të premten gjatë lëshimit të një rakete balistike ndërkontinentale.
Disa foto të tyre u publikuan nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, ku duken Kim Jong Un dhe vajza të kapur dorë për dore dhe bisedonin. Ata inspektuan lëshimin e raketës balistike ndërkontinentale që mendohet se mund të arrijë deri në SHBA.
Ky testim është dënuar nga Amerika dhe vendet Perëndimore. Por shfaqja e Kim Jong Un në publik me vajzën e tij ka ngritur disa pyetje.
Koreja e Veriut është një shtet i mbyllur dhe dihet shumë pak për jetën personale të liderit por edhe të banorëve atje.
Prezantimi në publik i vajzës ndoshta është mesazh se Kim Jong Un e ka zgjedhur pasuesen e tij e cila një ditë do të drejtojë Korenë e Veriut.
Por për analistët botërorë, raporton BBC, shfaqja e Kim Jong me vajzën e vogël në një platformë të lëshimit të raketës balistike ndërkontinentale mund të jetë edhe mesazh që ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga armët bërthamore dhe se këto armë do të jenë aty edhe për gjeneratat e ardhshme. /tvklan.al