Rreth 40% e termocentraleve të Ukrainës është dëmtuar rënde, SHBA konfirmon se Rusia ka marrë drone iranian
Kompania kombëtare e energjisë e Ukrainës u ka kërkuar qytetarëve që të kufizojnë përdorimin e energjisë për shkak të dëmtimit të termocentraleve.
Ndërprerjet deri në katër orë do të prekin të gjithë vendin. Ajo vjen pasi Rusia shpall ligjin ushtarak në zonat e Ukrainës që ka aneksuar. Kompania kombëtare e energjisë u ka bërë thirrje ukrainasve që të furnizohen me ujë dhe të sigurohen që të kenë mjete të nevojshme përfshirë këtu rroba të trasha dhe batanije për të përballuar të ftohtin.
Rreth 40% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është dëmtuar rëndë ndërsa qeveria ka paralajmëruar kompanitë e energjisë po përgatiteshin për të gjithë skenarët e mundshëm”për dimër. Dëme serioze u raportuan në objektet e energjisë në Kryvyi Rih në Ukrainën qendrore dhe Burshtyn në perëndim.
Zelensky në një intervistë për një media kanadezë është shprehur se ende nuk është mësuar me luftën dhimbjen dhe vrasjet në vendin e tij. I pyetur nëse ai do të konsideronte dhënien e territoreve në kuadër të një marrëveshje paqeje, presidenti ukrainas tha se ky nuk ishte një opsion.
“Toka është e qytetarëve të Ukrainës. Unë jam një nga 40 milionë ukrainasit. E gjithë kjo na përket ne qytetarëve të Ukrainës, brezave të ardhshëm. Nuk më intereson se çfarë ndodh me Putin, sinqerisht. Nuk dua të ngatërroj çështjet e paqes dhe përgjegjësisë. Për njerëzit që humbën të dashurit e tyre atje, paqja nuk mjafton. Njerëzit duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka thënë Zelensky .
Pesë dronë goditën qytetin jugor të Mykolaiv të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë. Ukraina akuzon Rusinë për përdorimin e “dronëve kamikaze” Shahed-136 të prodhuar nga Irani. Departamenti amerikan i shtetit ka konfirmuar se Rusia ka blerë dronë nga Irani në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se ato po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën civile kritike.
Zëvendës ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, u tha gazetarëve se Rusia do të rivlerësojë bashkëpunimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres nëse Guterres dërgon ekspertë në Ukrainë për të inspektuar dronët e rrëzuar që Ukraina dhe Perëndimi pretendojnë se janë prodhuar në Iran.
Rusia tani po zbaton ligjin ushtarak në zonat e Ukrainës që ajo aneksoi së fundmi. Ligji ushtarak nënkupton kontrolle më të forta sigurie dhe kufizime në lëvizjen në zonat e prekura. Por lufta tashmë ka frenuar të drejtat dhe liritë e ukrainasve.
Klan News