Kievi u sulmua nga dronët rusë orët e para të mëngjesit të sotëm, por nuk raportohet për viktima. Të paktën 10 shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas dhe sirenat e sulmit ajror sinjalizuan se banorët duhet të mbrohen.
Shefi i Administratës Ushtarake të Kievit, Serhiy Popko tha se mbeturinat e dronëve kishin shkaktuar një zjarr në një ndërtesë banimi, por ajo ishte shuar.
Gjatë fjalës së tij, Popko tha se rreth 20 dronë sulmues “Shahed” të prodhuar nga Irani ishin rrëzuar të dielën. Ai shtoi se ata kishin fluturuar mbi Kiev në grupe nga disa drejtime.
“Shumica e mbeturinave ranë në tokë të hapur, por disa dëmtuan makina”, tha Popko.
Sistemi i mbrojtjes ajrore të Kievit është dëshmuar efektiv në rrëzimin e shumicës së dronëve dhe raketave ruse që synojnë qytetin.
Ndërkohë, Rusia thotë se shkatërroi 8 dronë të nisur nga Ukraina mbi Detin e Zi pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin forcat ruse e kanë pushtuar që nga viti 2014./tvklan.al