Kievi pa ujë dhe drita, kryebashkiaku: Kush të mundet të largohet përkohësisht

Një dimër pa elektricitet, ngrohje e ujë të pijshëm. Është kjo që i pret banorët e Kievit, por edhe qyteteve të tjera ukrainase, ndërsa Moska vijon të shënjestrojë infrastrukturë kritike rreth vendit.

Kryebashkiaku i Kievit tha se po përgatiteshin për skenarin më të keq të mundshëm ndërsa u kërkoi banorëve të shqyrtojnë largimin e përkohshëm nëse qyteti humb furnizimet me energji dhe ujë.

1 mijë pika ngrohje po planifikohen të ngrihen rreth Kievit, por është e paqartë nëse kjo do të mjaftojë për qytetin me 3 milionë banorë.

“Po bëjmë gjithçka për ta shmangur këtë. Por le të jemi të sinqertë. Armiqtë tanë po bëjnë gjithçka që qyteti të jetë pa ngrohje, elektricitet dhe ujë në mënyrë që të gjithë të vdesim”, tha kryebashkiaku.

4.5 milionë njerëz janë pa energji elektrike në Kiev dhe 6 rajone të tjera, sipas presidentit Volodimir Zelenski. Në videomesazhin e fundit, ai denoncoi se Rusia synon të përdorë raketa iraniane për sulme të tjera ndaj infrastrukturës energjetike, veçanërisht sektorit të energjisë

“Shteti terrorist po i përqendron forcat dhe mjetet ushtarake për një tjetër sulm masive kundër infrastrukturës sonë, veçanërisht rrjetit elektrik. Për këtë Rusia ka nevojë për raketat iraniane”, tha presidenti.

Zelenski tha se armiku kishte pësuar humbje të rënda në rajonin lindor të Donjetsk, por pavarësisht kësaj ofensiva e ashpër vijon.

Disa godina u përfshinë nga flakët mëngjesin e së hënës në Donjetsk, pas sulmeve me artileri të ushtrisë ukrainase në rajonin e pushtuar nga rusët. Në frontin jugor, vijon ofensiva për qytetin e Herson, një prej të parëve që ra në duart e rusëve, por ku trupat e Kievit po afrohen gjithmonë e më shumë.

Qyteti ka mbetur përkohësisht pa ujë dhe energji dhe qytetarët janë lajmëruar me mesazhe të largohen sa më shpejt pasi një sulm masiv pritet të ndodhë atje. Kievi pretendon se Rusia po përpiqet t’i ngrejë kurth ushtrisë ukrainase, duke pretenduar se po largohen nga qyteti jugor.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share