ZELENSKY: KREMLINI MUND TA PERGATISE NJE SULM TE TILLE
Kievi ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se ajo mund të përdorë bombë me materiale radioaktive për të përshkallëzuar luftën. Presidenti ukrainas ka deklaruar se një sulm të tillë mund ta përgatisë Rusia duke kërcënuar botën nga një katastrofë rrezatimi. Sipas SHBA-së urdhri për të evakuuar njerëzit nga Kherson tregon se Rusia po kërkon që ta shpopullojë rajonin.
Ukraina ka dënuar pretendimet e pabazuara të Rusisë se Kievi mund të përdorë një bombë me eksplozivë konvencionalë të mbushur me material radioaktiv.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se kjo do të thotë se vetë Rusia mund të përgatiste një sulm të këtij lloji. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu bëri komentet për përdorimin e një bombe të tillë në një telefonatë me homologun e tij në Mbretërinë e Bashkuar Ben Ëallace.
Zelensky akuzoi Rusinë se bota po rrezikohet nga Rusia në rast se ajo ndërmerr një sulm në centralet bërthamore të Ukrainës që mund të shkaktojë një katastrofë rrezatimi.Udhëheqësi ukrainas theksoi gjithashtu se “bota duhet të reagojë në mënyrën më të ashpër të mundshme”.
Edhe në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së thanë se qeveritë e tyre hedhin poshtë akuzat e rreme të Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një bombë në territorin e saj, duke theksuar se ata do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Analistët ushtarakë vënë në dukje se akuzat ruse vijnë pas një sërë humbjesh të rënda ushtarake ruse dhe ndërsa trupat ukrainase vazhdojnë operacionet e tyre kundërsulmuese në lindje dhe jug të vendit.
Ndërkaq Rusia gjuajti raketa dhe dronë në qytetin jugor të Mykolaiv duke shkatërruar një bllok apartamentesh por pa viktima. Përparimet e Ukrainës në javët e fundit rreth Khersonit dhe në verilindje të vendit janë përballur me intensifikimin e sulmeve ruse me raketa dhe dron mbi infrastrukturën civile, të cilat kanë shkatërruar rreth 40% të sistemit energjetik të Ukrainës përpara dimrit.
Autoritetet ruse në territorin e pushtuar të Khersonit vazhdojnë t’u bëjnë thirrje banorëve të largohen nga frika e një kundërofensive ukrainase në rajon. Rreth 25,000 njerëz janë evakuuar deri më tani. Instituti për Studimin e Luftës në SHBA bën të ditur se urdhri për t’u evakuuar tregon se Rusia po kërkon që ta shpopullojë rajonin për të dëmtuar qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike. Nga ana tjetër Ukraina akuzoi Rusinë për bllokimin e marrëveshjes së grurit të Detit të Zi. Portet ukrainase sipas autoriteteve në ditët e fundit po punojnë vetëm në 25-30 përqind të kapacitetit të tyre. Që nga 1 gushti, marrëveshja e grurit e arritur në Stamboll 380 anija që transportonin 8.5 milion ton produkte ushqimore nga portet e Detit të Zi të Ukrainës u dërguan drejt vendeve në Afrikë, Azi dhe Evropë ndërsa presin në porte edhe mbi 100 anije të tjëra.
GAZETARE: LIVIA KALLFA
PAMJET: REUTERS