KURTI: NUK DO TË KETË SHKËMBIM MES KRIMINELIT LLUNE DHE TRE POLICËVE TË KIDNAPUAR
Rrëmbimi I tre policëve shqiptar ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes.
Kryeministri Albin Kurti tha se rrëmbimi i tyre ishte agresion e intencë për eskalim.
Ai ka kërkuar lirimin e policëve dhe ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta dënojnë aktin. Madje u shpreh i çuditur për heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë.
Kurti shtoi se synimi është siguria, veçmas në kufijtë e Kosovës, ndërsa përgjegjës për sigurinë në zonën kufitare e bënë KFOR-in.
Ministri Xhelal Sveçla beson se shumë shpejt do të lirohen policët ndërsa instistojnë se rrëmbimi I tyre është bërë në territorin e Kosovës.
“Sa i takon lirimit të tyre, Qeveria e Kosovës, është mobilizuar që të punojë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që të kemi presionin e nevojshëm ndaj Serbisë që këta tre zyrtare te kthehen në Kosovë sa më parë, të kthehen te familjet e tyre është pune intensive, dhe unë besoj qe shume shpejt edhe do të sjell rezultat” – tha Sveçla.
Ndërkohë janë ndaluar mallrat serbe që të hyjnë në territorin e Kosovës.
Kurti i është përgjigjur edhe letrës së përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i kërkoi që për veprimet tash e tutje në veri të koordinohet me KFOR-in e EULEX-in.
“Jemi republikë demokratike. As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetuese, njësisë që bën arrestimet, prokurorisë. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë si ju, sepse jemi republikë demokratike” – tha Kurti.
Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se forcat policore në veri do të reduktohen vetëm kur të largohen kriminelët nga veriu.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha