FORCAT SERBE AFËR KUFIRIT TË KOSOVËS
Këto pamje të publikuara nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku shihen njësitë speciale të Ushtrisë së Serbisë janë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Në një konferencë për media kryeministri Albin Kurti tha se forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.
”Gjithçka është nën vëzhgim. Deri tash, në ora 16, nuk ka asnjë dëshmi që janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrimet ushtarake, por ushtrimet s’mbahen 10 metra afër kufirit. Nëse duam normalizim, ushtria rri në kazerma, nuk vjen në kufi. Duket që dita e sotme do të jetë ndryshe nga e djeshmja” tha Albin Kurti- Kryeministër i Kosovës.
Ka reaguar sekretari i shtetit të Serbisë në Ministrinë e Mbrojtjes duke thënë se ato ishin patrullime të rregullta.
”Alarmizmi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë “pushtimi” të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë. Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohet nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të OKB-së” – tha Nemanja Staroviq-Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Mbrotjes së Serbisë.
Në një përgjigje me shkrim për TV Klan KFOR, ka thënë se situata në Kosovë është e qetë, por mbetet e brishtë.
Ka thënë se ka dislokuar 1.000 trupa shtesë e ka trefishuar numrin e patrullimeve pas tensioneve të fundit në veri e që mundëson mundëson misionit monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurtë.
“Ne besojmë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja” thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Në konferencë Kurti u pyet edhe për zgjedhje të reja për të cilat tha se është i gatshëm vetëm nëse votojnë për shpërbërje të parlamentit ndërsa nuk është për rrëzimin e qeverisë e as nuk do të japë dorëheqje. Thotë se dialogu nuk është prioritet i qeverisë. /tvklan.mk/