Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka konfirmuar se ka shtuar prezencën në pikën kufitare në Jarinje, shkaku i protestës që po mbahet në pjesën e territorit serb.
KFOR-i në një përgjigje për Klankosova.tv thekson se kjo u bë për shkak të ekzistimit të rrezikut potencial për “grupe kriminale” brenda protestuesve.
Trupat e Aleancës Veriatlantike bëjnë thirrje që të shmanget dhuna.
“KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Jarinje për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo për shkak të prezencës së mundshme të grupeve kriminale mes protestuesve. Është gjithmonë thelbësore që të gjithë personat që marrin pjesë në protestë të shmangin dhunën dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur çdo veprim joproporcional, qëndrim agresiv dhe sjellje që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë e panevojshme”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv
Në Jarinje në pjesën e territorit serb po zhvillohet një protestë e grupit të ashtuquajtur “Atdhetarët serbë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika serbe”.
Ata nuk janë lejuar që të hyjnë në Kosovë nga policia serbe.
Protestuesit janë përleshur me policinë duke tentuar që të hyjnë në territorin e Kosovës.
Ata arritën që t’i shmanget kordonit të parë të policisë duke u ndalur nga grupi i dytë i policëve.
Kësaj proteste po i prijnë njeriu i afër me grupin paramilitar rus, Wagner, Damjan Knezheviq.
Ai u ka kërkuar policëve që t’iu lejojnë hyrjen në Kosovën.
Ata kanë kënduar këngë nacionaliste serbe duke sharë Kosovën dhe NATO-n.