POLICIA E KOSOVËS T`I IDENTIFIKOJË KËTO GRUPE
Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj. Gallieni ka thënë se grupet e dhunshme janë organizuar për të sulmuar, dhe se i takon Policisë së Kosovës që t’i identifikojë ato.
“Gjatë protestës, dy persona po kryenin veprime ilegale apo veprime të dhunshme kundër trupave të KFOR-it, ata vetëm u ndaluan, dhe më pas ishte Policia e KFOR-it për t’i marrë ata dhe, nëse i kanë arrestuar, i kanë gjetur fajtorë për sjelljen e tyre. Por, KFOR-i nuk arreston, është Policia e KFOR-it përgjegjëse për këto veprime të ndërlidhura me sundimin e ligjit në Kosovë” – tha Andrea Gallieni, zëdhënës i KFOR-it.
Gallieni ka vlerësuar se situata në veri është duke u qetësuar, në aspektin e sigurisë.
“Kur këto ngjarje kanë nisur, do të thotë disa ditë para 29 majit, nuk mund të them se ka pasur koordinim, sepse ka qenë veprim i njëanshëm, i marrë prej institucioneve të Kosovës, për t’i dërguar kryetarët nëpër komuna, përmes përdorimit të forcës. Mirëpo, më vonë, ne jemi organizuar që të angazhohemi paraprakisht nëpër këto komuna, dhe më 29 maj kemi qenë atje, si dhe kemi ndërhyrë mes palëve” – tha Gallieni.
Zyrtari i KFOR-it, ka thënë se prej 5 qershorit, mbi 500 pjesëtarë të NATO-s kanë shkuar në Kosovë, për të përforcuar misionin. Gallieni ka thënë se forcat janë duke u trajnuar dhe do të angazhohen brenda disa ditësh.