ATALAN: SYNIMI YNË ËSHTË T`I FITOJMË NDESHJET E RADHËS
Klubi i futbollit Gostivari me staf të ri teknik që do ta drejtoj Ismail Atalan, nga dita e sotme zyrtarisht i nisi përgatitjet për pjesën pranverore të kampionatit në elitën e futbollit vendor.
Strategu 43-vjeçar gjerman me origjinë turke, Ismail Atallan, trajneri i ri i Gostivarit, është një nga emrat më të njohur nga jashtë që mbërrin në kampionatin vendor të futbollit. Ai ka drejtuar ekipin gjerman Bohum por edhe ekipe tjera të kampionateve gjermane.
Në seancën e parë stërvitore, Atallan, pasi u njoh me futbollistët, prezantoi edhe ekipin e tij, asistentin e parë Erhan Allbajrak dhe asistentët tjerë si Muarem Muarem, Shaban Suliman, Ramazan Irmak dhe Nihat Juxhel.
Ismail Atallan, për Klan Maqedoni, deklaroi se gjatë përgatitjeve do të njihet me situatën me futbollistët.
“Sot patëm një stërvitje të lehtë me lojtarët e rinj dhe lojtarët që janë me ne, do të kemi stërvitje për tri ditë. Të hënën do ta luajmë ndeshjen e parë kontrolluese, do ta shohim në çfarë gjendje është ekipi, do t’i shohim përshtypjet e para në ekip”, tha Ismail Atalan.
Në ekipin e Gostivari përforcim i parë është ish-portieri i Fenerbahçes, Erten Erso, por ekipi është në bisedime edhe me disa futbollistë tjerë. Trajneri Atallan është zotuar se do të punohet pa ndërprerë për të arritur objektivat.
“Asnjëherë nuk është vonë. Ky është talenti ynë, duhet të punojmë sepse asnjëherë nuk e dimë çfarë do të sjellë e nesërmja kështu që duhet të punojmë dhe synimi ynë është ti fitojmë ndeshjet e radhës”, tha Ismail Atalan.
Ekipi në tre ditët e para do të punojë në Gostivar. Nga data 12 deri 15 janar do të transferohet në Strumicë, ndërsa nga 17 janari deri më 3 shkurt, përgatitjet do të zhvillohen në Antali ku do të zhvillohen edhe disa ndeshje kontrolluese./KlanMacedonia