“Këtu jam me fytyrë, nuk kam frikë prej tyre”, kush ishte kandidati për president që u ekzekutua në Ekuador

Former Assembly member and now presidential candidate, Fernando Villavicencio, speaks to journalists upon his arrival at the Attorney General’s Office in Quito on August 8, 2023. Fernando Villavicencio asked the Attorney General’s Office to investigate former officials related to the oil sector of the governments of Rafael Correa, Lenín Moreno, and Guillermo Lasso as part of a criminal complaint that he filed on Tuesday. (Photo by Rodrigo BUENDIA / AFP) (Photo by RODRIGO BUENDIA/AFP via Getty Images)

QUITO, Ecuador

Fernando Villavicencio, kandidat për president në Ekuador, i njohur për gjuhën e ashpër kundër karteleve dhe korrupsionit u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një takimi elektoral në kryeqytet, në një kohë kur dhuna mes bandave gëlon në shtetin Amerikano Jugor.

Presidenti Guillermo Lasso konfirmoi vrasjen e Fernando Villavicencio dhe la të kuptohej se pas ngjarjes qëndronte krimi i organizuar. Vrasja e Villavicencio vjen më pak se dy javë nga zgjedhjet presidenciale të 20 Gushtit.

“Ju siguroj se ky krim nuk do të kalojë pa dënim”, tha Lasso në një deklaratë. “Krimi i organizuar ka shkuar larg, por ata do ta ndjejnë fuqinë e plotë të ligjit”.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Ekuador tha se autori i dyshuar vdiq si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa deri më tani, autoritetet kanë shoqëruar 6 persona.

Në fjalimin e tij të fundit përpara se të vritej, Villavicencio i premtoi tubuesve se do ta çrrënjoste korrupsionin dhe do t’i çonte pas hekurave “grabitësit” e shtetit.

Sipas asaj që shkruan Associated Press, përpara së vritej, Villavicencio pati deklaruar se kishte marrë disa kërcënime me jetë, përfshirë nga eksponentë të kartelit meksikan të Sinaloa, një prej disa grupeve ndërkombëtare kriminale që operojnë në Ekuador. Ai tha se fushata e tij paraqiste kërcënim për grupe të tilla.

“Këtu jam me fytyrë, nuk kam frikë prej tyre”, tha Villavicencio në një deklaratë duke përmendur bosin e arrestuar të krimit José Adolfo Macías alias “Fito.”

Villavicencio ishte një prej 8 kandidatëve për presidencialet, ndonëse jo kryesori. Ai ishte 59-vjeç dhe vinte si kandidat nga radhët e Lëvizjes të Ndërtojmë Ekuadorin.

Mbështetës të tij u shprehën se fushata e Villavicencio u kishte dhënë shpresë që vendi mund t’i mposhte bandat. “Ishim të kënaqur. Fernando madje dhe kërceu. Fjalët e tij të fundit ishin nëse dikush u bie në qaf njerëzve, ai po i bie në qafë familjes time”, tha një prej mbështetësve të tij duke iu referuar takimit elektoral pas së cilit u qëllua për vdekje.

Teksa trafikantët e drogë kanë nisur të përdorin portet e vendit, ekuadorianët janë përballur me një dhunë që nuk e kishin parë prej dekadash. Të shtënat e armëve të zjarrit dëgjohen në shumë qytetet madhore, teksa bandat rivale luftojnë për kontroll dhe kanë rekrutuar fëmijë. Vetëm muajin e shkuar, kryebashkiaku i qytetit port të Manta-s u qëllua për vdekje. Më 26 Korrik, Lasso deklaroi emergjencë shtetërore që mbulon dy provinca dhe sistemin e burgjeve të vendit, në përpjekje për të kontrolluar dhunën.

Ish-zv/presidenti dhe kandidati Otto Sonnenholzner tha në një deklaratë për mediat pas të shtënave të së mërkurës: “Po vdesim, po mbytemi në një det me lot dhe nuk e meritojmë të jetojmë kështu. Ne kërkojmë që të bëni diçka”.

Videot nga takimi elektoral të publikuara në rrjete sociale tregojnë Villavicencio duke dalë nga ky event i rrethuar nga rojet. Videoja më pas tregon kandidatin që futet në një makinë të bardhë përpara se të dëgjohen të shtënat me armë.

Presidenti Lasso tha se vrasësit hodhën një granatë në rrugë për të mbuluar luftimet, por ajo nuk shpërtheu. Sipas tij, granata u neutralizua më pas me shpërthim të kontrolluar nga policia.

Këshilltari i fushatës së Villavicencio, Patricio Zuquilanda, tha se 59-vjeçari kishte marrë të paktën 3 kërcënime me vdekje të cilat i kishte raportuar te autoritetet, e që kishin çuar në një të ndaluar. Ai u bëri thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime kundër dhunës.

“Populli ekuadorian po vajton dhe Ekuadori është i plagosur rëndë. Politika nuk mund të çojë në vdekjen e asnjë anëtari të shoqërisë”, tha ai.

Villavicencio ishte një prej zërave më kritikë kundër korrupsionit, në mënyrë të veçantë gjatë qeverisë të presidentit Rafael Correa, në vitet 2007-2017. Ai ishte po ashtu një gazetar i pavarur që investigoi korrupsionin në qeveritë e mëparshme, duke u futur më pas në politikë si aktivist kundër korrupsionit.

Villavicencio bëri shumë ankesa gjyqësore kundër disa anëtarëve të qeverisë Correa, përfshirë kundër vetë presidentit. Ai u dënua me 18 muaj burg për shpifje, pas kritikave ndaj Correa dhe u arratis nga Ekuadori e më pas iu dha azil nga Peruja fqinje.

Edison Romo, një ish-kolonel i inteligjencës së Ushtrisë tha se ankesat antikorrupsion të Villavicencio ishin “kërcënim për organizatat ndërkombëtare të kriminale”.

Guillermo Lasso
Guillermo Lasso
Lasso, një ish-bankier konservator, u zgjodh në 2021 në krye të shtetit të Ekuadorit. Vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme pasi Lasso shpërndau me dekret Asamblenë Kombëtare në Maj, një lëvizje që erdhi për të shmangur përballjen me akuzat se kishte dështuar për të parandaluar një kontratë të dyshimtë midis kompanisë shtetërore të transportit të naftës dhe një kompanie private.

Kushtetuta e Ekuadorit parashikon edhe masën e shpërndarjes së asamblesë gjatë një krize politike, por më pas është e nevojshme që të mbahen zgjedhje të reja si për asamblenë ashtu sikurse edhe për presidencën. Ekuadori është përballur me një seri trazirash politike gjatë viteve të fundit.

Nga të shtënat e mërkurës mbetën të plagosur të paktën 9 persona të tjerë, përfshirë oficerë policie dhe një kandidat për kongresin, në atë që ata e përshkruajtën si akt terrorist.

Vrasja solli reagimin e kandidatëve të tjerë për presidencën që kërkuan veprime, duke thënë se “kur ata prekin një prej nesh, na prekin të gjithëve”.

Villavicencio ishte i martuar dhe kishte 5 fëmijë.//tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share