Këto 2 shtete vendosin të tërhiqen nga Eurovisioni

Mali i Zi dhe Maqedonia nuk do të konkurrojnë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm për shkak të kostove të larta që u duhet që të paguajnë. Shtetet pjesëmarrëse paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në konkurs, por shuma ndryshon në varësi të madhësisë së vendit.

BBC News raporton se disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë pasi Rusia u ndalua të merrte pjesë në Eurovision nga konkursi. Kujtojmë se Rusia, një kontribues i madh financiar, u përjashtua nga konkursi i këtij viti pasi pushtoi Ukrainën.

“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe, ne u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorizuesit, ndaj vendosëm që burimet ekzistuese t’i përdorim për financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara”, tha televizioni publik i Malit të Zi RTCG.

Kostoja totale për të gjithë shtetet pjesëmarrëse për t’u bërë pjesë e konkursit muzikor shkon zakonisht deri në rreth 5 milion £, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike.

Thuhet se edhe disa vende të tjera mund të konsiderojnë tërheqjen nga Eurovisioni si rezultat i kostos shtesë.

Eurovisioni do të zhvillohet në Liverpool./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share