Këshilli i BE-së pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjën në BE

Sekretari spanjoll i shtetit për Bashkimin Europian, Pascual Ignacio Navarro Rios ka përcjellur tone pozitive për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinë në përfundim të takimit të 27 ministrave të çështjeve europiane në Bruksel. Ai ka bërë të ditur, se gjatë diskutimeve që janë zhvilluar midis ministave, ka patur një qëndrim pozitiv të shteteve anëtare të Bashkimit Europian për zgjerimin e kësaj organizate.

“Ne kemi zhvilluar një debat të shkurtër mbi përgatitjen e Këshillit Europian dhe shumica e delegacioneve kanë shprehur qëndrimin e tyre të favorshëm lidhur me raportet e Komisionit Europian për vendet aspirante për anëtarësim. Edhe gjatë drekës së punës, në një atmosferë më pak zyrtare, mbizotëroi e njëjta atmosferë. Tani ne jemi në fazën e përgatitjes së konkluzioneve, ku Këshilli do të shprehë qëndrimin e tij lidhur me aplikimet e ndryshme. Ne do të vijojmë punën për aprovimin e tyre në takimin e ardhshëm të çështjeve të përgjithshme dhe do t’ia transmetojmë ato Këshillit Europian, duke shpresuar që ai do t’i miratojë. Por sot, e përgjithshmja është pozitive” është shprehur sekretari i shtetit spanjoll, Ignacio Navarro Rios.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Maros Sefcovic është shprehur se çdo shtet anëtar është i mirëinformuar për vendet aplikante si në rastin e Bosnjë-Hercegovinës mbi hapat konkrete që duhen ndërrmarrë para hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit në BE. Sefcovic është ndalur ndalur te mbështetja e madhe që vendet anëtare kanë treguar për planin e rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne po mësojmë nga e shkuara dhe duam të sigurojmë që duke adaptuar një qasje graduale, duke ofruar një akses gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të Bashkimit Europian, ne do t’i përgatisim këto vende për anëtarësim dhe do ndajmë me to rritjen ekonomike dhe prosperitetin edhe para se ato të bëhen anëtare të kësaj organizate”. është shprehur Maros Sefcovic.

Komisioni Europian shpreson, që Këshilli i Bashkimit Europian të shprehet në favor të mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri dhe hapjen e grupkapitullit të parë mbi çështjet themelore këtë vit. Për Maqedoninë e Veriut, parakusht për çeljen e këtij grupkapitullit mbetet aprovimi i ndryshimeve kushtetuese për minoritetet në vend.

Erisa Zykaj – TvKlan, Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share