Në vend që të rrimë të tronditur, të pikëlluar në heshtje dhe të komentojmë, më mirë të reagojmë me masa dhe veprime konkrete parandaluese. Kështu vlerëson Kryetarja e PLD-së dhe deputete e kësaj partie, Monika Zajkova, e cila mes tjerash, në propozimet e dhëna, përmend ndalimin e rrjetit social “Tik-Tok”.
“Është veçanërisht e nevojshme të ndalohet “Tik-Tok” si dhe rrjetet e tjera sociale që nxisin dhunën sepse në vendin tonë kemi qenë dëshmitarë të viktimave nga përdorimi i këtyre rrjeteve. Ndalimi dhe kontrolli i shkarkimit të lojërave, përmbajtjeve dhe aplikacioneve që tregojnë dhe inkurajojnë në mënyrë të qartë dhunën. Gjithashtu, rishikimi dhe kontrolli i filmave që mund të nxisin dhunën, veçanërisht tek të rinjtë, mund të përdoren në mënyrë manipuluese për qëllime propagandistike duke glorifikuar dhunën”, thotë Zajkova.
Me këtë, Zajkova shprehet se nuk do të bëhet censurë ndaj artit dhe kulturës.
“Kemi shembuj në Evropë – Franca themeloi një komision për kategorizimin e filmave, i cili çdo vit shqyrton rreth 600 filma, dhe vlerëson nëse përmbajtja e filmit, madje edhe filmat e animuar, nuk janë të dëmshme për fëmijët dhe nuk inkurajojnë dhunën tek fëmijët”, shtoi Zajkova.
Kjo spirale dhune e kryer nga të rinjtë, sipas Zajkovës, duhet të ndezë alarmin e kuq në vendin tonë dhe është e nevojshme që të merren masa parandaluese të menjëhershme dhe efektive për të parandaluar dhunën e bashkëmoshatarëve, imazhet e tmerrshme të të vrarëve dhe të plagosurve.
Propozimet e përgatitura, Zajkova thotë se PLD do t’i dërgojë në qeveri.
“Nismat i referohen kontrollit më të rreptë të dhënies dhe mbajtjes së armëve të zjarrit, kontrollit të armëve, kontrollit dhe ndalimit të të miturve që ushtrojnë në poligone qitjeje, si dhe ndëshkimeve për prindërit që motivojnë fëmijët të përdorin mjete të tilla vrasëse. Ministria e Drejtësisë duhet të rishikojë situatën dhe të propozojë një shtrëngim të politikës penale duke ulur moshën e përgjegjësisë penale në përputhje me legjislacionin dhe praktikat evropiane, si dhe kontroll më të madh në shkolla dhe punësimin e psikologëve dhe pedagogëve për të parandaluar bullizmin në procesin arsimor”, vijon më tej Zajkova./KlanMacedonia