Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë ka bërë që të parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në një familje në Vlorë.
Policia e Shtetit njofton se shtetasi B.I, me armë zjarri kallashnikov kërcënoi bashkëshorten e tij dhe vuri në rrezik edhe banorët e fshatit duke qëlluar me armën në ajër.
“Pas marrjes së njoftimit në orët e mëngjesit se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Akërni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit”, thuhet në njoftim.
48-vjeçari në momentin që vuri re shërbimet e Policisë ka tentuar të largohej me automjet, por i njëjti është bllokuar dhe u vu në pranga nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Policia njofton tutje se janë sekuestruar arma e zjarrit kallashnikov dhe automjeti me të cilin tentoi të largohej, së bashku me një sasi lënde narkotike cannabis dhe fishekë luftarakë, të cilat u gjetën të fshehura në stanin e 48-vjeçarit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, u finalizua operacioni policor “Strike 22”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë, në tentativë për t’u larguar me automjetin e tij, shtetasi B. I., 48 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë.
Në vijim të kontrollit në stanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një sasi lënde narkotike cannabis dhe municion luftarak.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/