Një aeroplan indian pasagjerësh ka bërë një ulje emergjente në qytetin lindor të Turqisë, pas një kërcënimi me bombë.
Aeroplani i linjës ajrore Vistara që transportonte pasagjerët, ishte nisur nga India për në Gjermani kur bëri një ulje emergjente në aeroportin e Erzurumit “për arsye sigurie”.
Sipas burimeve, ekipet turke të reagimit emergjent, përfshirë Autoritetin e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), personelin mjekësor, policinë dhe zjarrfikësit, u dërguan menjëherë në aeroport pas uljes emergjente.
Guvernatori i Erzurumit, Mustafa Cifci, në një deklaratë konfirmoi se aeroplani mbante 247 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
“Për momentin, ekipet janë në terren, duke kontrolluar bagazhet. Ekipet e AFAD kanë evakuuar në mënyrë të sigurt pasagjerët. Forcat e rendit, përfshirë policinë e operacioneve speciale, dhe të gjitha ekipet tona janë në vendngjarje”, tha Cifci.
“Të gjitha masat e nevojshme të sigurisë janë marrë brenda dhe rreth aeroplanit. Hapësira ajrore e Erzurumit është mbyllur për fluturime”, shtoi ai duke theksuar se ekspertët e asgjësimit të bombave po hetojnë aeroplanin. /Telegrafi/