MESAZHE KËRCËNUESE PËRMES E-MAILAVE ZYRTAR – MPB HETON RASTIN!
Disa deputetë të Kuvendit në adresat zyrtare elektronike, më 23 korrik, kanë marrë mesazhe me përmbajtje kërcënuese – ka njoftuar MPB-ja.
Sipas MPB-së, rastin e ka paraqitur një përfaqësues i një partie politike.
“Më 25.07.2024 në ora 13:58 në stacionin policor “Qendër”, një përfaqësues i një partie politike ka denoncuar se më 23.07.2024 në ora 18:15, nga një adresë e panjohur elektronike, në e-mailet zyrtare të disa deputetëve të Kuvendit, janë dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese” – thonë nga MPB.
Mesazhet kërcënuese u janë dërguar deputetëve të BDI-së, ditën kur në Kuvend ka qenë propozimi për emërimin e Zv/Ministrave në Qeveri.
Në këtë e-mail kërcënues dërguar deputetëve të BDI-së, Ali Ahmetit, Arbana Pasholli, Blerim Bexheti, Dijana Toska, Ilir Hasani, Ismail Jahoski, Rina Ajdari dhe Sadulla Duraku, me fjalë vullgare dhe ofenduese për shqiptarët kërcënohen me jetë deputetët dhe shqiptarët, sic pretendojnë kërcënuesit, për një Maqedoni të pastër.
Nga MPB-ja thonë se për mesazhet kërcënuese është njoftuar Njësia për krim ekonomik dhe kompjuterik pranë SPB – Shkup dhe se punohet për zbardhjen e rastit. /tvklan.mk/