KOVAÇEVSKI: LUFTË HIBRIDE PËR TË NGJALLUR FRIKË
Kërcënime të reja për mjete eksplozive sot ka pasur në katër shkolla të mesme në Shkup. Mësimi është ndërprerë, ndërsa nxënësit janë evakuuar, pa mos u gjetur bomba. Kjo është luftë hibride, ka deklaruar Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se në periudhë të luftës në kontinent, Ballkani është cak i sulmeve të hakerëve.
Në dy shkolla të mesme në Shkup sot paradite mësimi u ndërpre menjëherë pas arritjes së e-mailit për bombë të vendosur në orën 9 e 30 minuta, ndërsa vetëm gjysmë ore më vonë mesazh i ngjajshëm i ndërpreu orët e mësimit edhe në dy shkolla tjera të mesme.
“Menjëherë pas denoncimeve që kemi marrë, nga zyrtarët e policisë janë ndërmarrë masa për evakuimin e sigurtë të të gjitha katër shkollave. Vazhdojnë kontrollet antiterror dhe ndërmirren masa për zbardhjen e rastit” – thonë nga MPB.
Ky është informacioni i zakonshëm nga policia, të cilin prindërit e nxënësve e dëgjojnë tashmë dy javë, periudhë në të cilën ndodhën dhjetëra alarme të rrejshme për eksploziv të vendosur në shkolla, që ka shkaktuar shqetësim serioz në mesin e banorëve të kryeqytetit. Bëhet fjalë për luftë hibride, sqaroi sot në mëngjes Kryeministri.
“E shihni se gjithë rajoni jonë është nën kërcënimin e sulmeve hibride. Të gjithë jemi të vetëdijshëm çfarë ndodh. Në qoftë se më parë në territorin e gjithë Evropës janë bërë luftëra me armë, tani në një pjesë të territorit të Evropës zhvillohet luftë me armë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por në pjesët tjera zhvillohet luftë hibride, duke shkaktuar shqetësime” – tha Kovaçevski.
Para një jave u arrestua një person që lidhet me alarmet e rrejshme, por pas disa orëve një djalë 23 vjeçar emri i të cilit ka qëndruar në e-mailet e dërguara, pas një nate të kaluar në stacionin policor dhe pas verifikimeve në shtëpinë e tij, i njëjti është lënë i lirë. /KlanMacedonia/