Sot opinioni në vend dhe më gjerë u trondit me informacionin se për t’u avancuar femrat në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të dhurojnë shërbime seksuale ndaj gjeneralëve – thonë nga Alternativa, përcjell KlanM.
Nga kjo parti, thonë se përveç korrupsionit aktiv, që sipas tyre është i dukshëm dhe ka marrë përmasa të frikshme, sipas të gjitha statistikave edhe nga institucionet relevante ndërkombëtare, siç thuhet në reagimin e Alternativës, tani po del se në ARM kërkohen edhe favore seksuale nga ushtaret dhe eproret femra.
“Një gjë të këtillë sot me zë e pohoi ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, duke u arsyetuar se është hapur procedurë penale dhe se në atë procedurë nuk ka të drejtë të përzihet. Maqedonia e Veriut, si një vend anëtar i NATO-s, duhet të jetë shëmbëlltyrë e disiplinës dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat gjinor, racor dhe etnik. Fatkeqësisht, Armata e Maqedonisë së Veriut, prej së cilës varet siguria e shtetit dhe jetës së qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, po del se është shndërruar në një ambient toksik dhe të pasigurt për gjininë femërore. Që të jetë habia ende më e madhe, me këtë institucion udhëheq një grua, e cila deri më tani e ka fshehur këtë gjë dhe nuk ka folur haptas për skandalet seksuale që e kanë kapluar këtë dikaster”, thuhet më tej në reagimin e Alternativës.
Departamenti i Mbrojtjes i partisë politike Alternativa kërkon që sa më shpejt të zbardhen rastet e këtilla dhe gjeneralëve që janë të akuzuar për vepra të këtilla përgjithmonë t’u ndalohet veprimtaria dhe puna në të gjitha institucionet e sigurisë së vendit./KlanMacedonia