Bashkimi Europian shpreh shqetësimin për mungesën e reagimit nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndaj thirrjeve të zyrtarëve të lartë të unionit për të ulur tensionet në veri të vendit. Zëdhënësi Peter Stano sqaroi këtë të Enjte në një tjetër konferencë për shtyp se kjo sjelle e Kurtit detyroi Bashkimin Europian të ndërmarrë masa ndaj Kosovës.
“Këto masa nuk janë diçka që Bashkimi Europian do t’i ndërmerrte me lehtësi. Janë masa që BE u detyrua t’i merrte pasi deri më tani nuk kemi parë asnjë hap kuptimplotë dhe vendimtar për uljen e menjëhershme të tensioneve”.
“Ashtu siç e kam sqaruar, këto nuk janë sanksione apo masa ndëshkuese. Janë instrumente që po përdorim për të treguar se unioni është serioz në kërkesën për çtensionimin dhe me reagimin kur nuk hidhen hapa në këtë drejtim”.
Masat përfshijnë pezullimin e përkohshëm të ftesave për zyrtarët e lartë të Kosovës, për të marrë pjesë në takime dypalëshe me Bashkimin Europian e po ashtu ndalimin e përkohshëm të financimeve për projektet e unionit në Kosovë.
Tv Klan