MOSZBATIMI I MARRËVESHJEVE TË ARRITURA PËRMES DIALOGUR
Kritika për moszbatim të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Brukseli si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë janë evidentuar në raportin e progresit për të dy vendet.
Në raport të cilin e ka publikuar Radio Evropa e Lirë vlerësohet se Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.
Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë nesër pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar me tekstin e njëjtë në të dyja raportet individuale të progresit, për secilin vend përkatës
Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“.
Raporti tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë me 21 tetor.
I bëhet thirrje Serbisë t’i nxitë serbët e Kosovës “që menjëherë të kthehen në institucione”, ndërsa i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur një gjë të tillë.
Raporti përmend edhe disa obligime të tjera nga dialogu të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapja e urës në Mitrovicë, marrëveshja për energjinë etj. Serbia përmendet si palë e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare.
Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes tensionet në veri të Kosovës, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre. Kosova, sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.
Në veçanti, raporti flet për ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur në këtë periudhë; sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit duke e cilësuar si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, dhe si një “operacion i madh i kontrabandës së armëve“.
Raporti i bën thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.
Sa i përket përparimeve që arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes.