HERA E TRETË QË TETOVA MERR PËRGJIGJE NEGATIVE NGA QEVERIA
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme aspak nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës, ku kërkohej ndihmë për rajonet e prekura nga përmbytjet. Në këtë mënyrë në rrjetet sociale ka reaguar Kryetari I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke rikujtuar se përmbytjet e ditës së diel dhe të hënë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytet, në fshatin Xhermë, Reçicë e Vogël, Poroj si dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës.
Qeveria e papërgjegjshme e Kovaçevskit dhe Ahmetit, me vendimin e djeshëm nuk kanë treguar solidaritet dhe mbështetje për qytetarët për të vetmen arsye, humbja në zgjedhjet lokale të 20 gushtit. Ata nuk mund ta kapërdijnë humbjen dhe shkelmin e fundit që i’u dha populli atyre që për 20 vite shkatërruan çdo gjë, atyre që u pasuruan në kurriz të popullit dhe atyre që keqpërdorën djersën e qytetarëve. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm për veprimet e qeverisë dhe nuk do ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi në shërbim të qytetarëve sepse ata besojnë në Ne, në opsionin tonë dhe në zhvillimin e qytetit, deklaroi Bilal Kasami Kryetar i Komunës së Tetovës.
Në reagimin në Facebook, Kasami shkruan se Tetova nuk është kundër ndihmës për Kërçovën dhe Strugën, por është kundër diskriminimit dhe diferencimit që i bëhet këtij qyteti, kundër hakmarrjes politike të cilën, sic shkruan Kasami, po e motivojnë dhe e praktikojnë çdo ditë. Sipas Kasamit, është hera e tretë që Tetova kërkon ndihmë nga qeveria për shkak të përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, por përgjigjja e tyre ka qenë negative./KlanMacedonia/