VMRO DPMNE dhe VLEN po vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë së re. Palët ende nuk kanë shpalosur detaje konkrete se si do të ndahet qeverisja e re për katër vitet e ardhshme.
Bilall Kasami nga VLEN tha sot se, janë në rrugë të mbarë por për hir të korrektësisë, siç u shpreh ai, nuk mundet të ndajë detaje, pasi janë dakorduar që kur të kenë marrëveshje përfundimtare bashkërisht ta prezantojnë para opinionit.
“Por, po themi se jemi në rrugë të mbarë dhe kemi një komunikim korrekt në drejtim të ndarjes së përgjegjësive. Ajo që është me rëndësi për të theksuar është që po flasim për një qeveri ambicioze, një qeveri e cila mbi të gjitha do ta ketë parasysh prezantimin kualitativ nëpër dikaster të ndryshme”, tha Bilall Kasami.
Duke komentuar deklaratën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se VMRO dhe LSDM përmes mbivotimit në KSHZ po përgatisin vëllavrasje mes shqiptarëve, Kasami deklaroi se, VLEN nuk është i interesuar për asnjëlloj krize dhe konflikti.
“Është një deklaratë shumë serioze, një deklaratë shumë e rrezikshme. Aliu ka ditur në momente të caktuara që të jep deklarata të tilla, tani po del që edhe në të kaluarën, konkretisht në vitin 2008, ka qenë e dakorduar mes Aliut dhe Menduhit që sot janë bashkë, që të ketë vëllavrasje”, tha Kasami.
Kasami përshëndeti vendimin e Gjykatës Administrative për rivotim më disa vendvotime në Zhelinë, Strugë, Ohër dhe Krushevë ku u konstatuan parregullësoi gjatë procesit zgjedhor./tvklan.mk