GODINA E VJETËR E SHKOLLËS SË MESME TË MJEKËSISË I JEPET KADASTRËS
Qeveria LSDM-BDI assesi ta kapërdijë humbjen në zgjedhjet e fundit, krahas neglizhencës me përmbytjet dhe dëmet vazhdon me hakmarrjen ndaj Tetovës. Në këtë mënyrë Kryetari I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e ka vlerësuar vendimin që godina e vjetër e Shkollës së Mesme të Mjekësisë t`i jepet Kadastrës, raporton Klan M.
“Konkretisht, në mënyrë hakmarrëse, Artan Grubi, ka nënshkruar një vendim, me të cilin godina e vjetër e shkollës medicinale i jepet në shfrytëzim të përhershëm Kadastrës së Tetovës. Siç mund të shihet, me këtë vendim ky objekt i jepet në shfrytëzim Kadastrës pa asnjë nevojë dhe pa u konsultuar me askënd. Ne e vlerësojmë këtë vendim si arbitrar dhe si një hakmarrje për t’i dënuar nxënësit e Tetovës dhe arsimin në Tetovë, kur dihet se ky objekt është shfrytëzuar për mësim më herët, por edhe aktualisht” – deklaroi Kasami.
Kasami shtoi se me këtë vendim qeveria e RVM, ka shkelur Ligjin për arsim fillore dhe të mesëm. Sipas tij, Ndryshimet e Ligjit për arsim të mesme janë bërë në vitin 2004, ku pronësia ose objektet shkollore dhe pasuria e patundshme e shkollave transferohet tek pushteti lokal.
Aji gjithashtu tha se për këtë vendim do të informojë të gjitha përfaqësitë diplomatike në vend, ambasadën e SHBA-së, OSBE-në, UNICEF-in, pasi, sic tha, po shkelen të drejtat e fëmijëve dhe qytetarëve të Tetovës. /KlanMacedonia/