2 kilogramë kokainë dhe 7 të tjera marijuanë iu gjetën një shqiptari në banesën e tij në Porto Sant’Elpidio të Italisë. Një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës, në këtë zonë, ndërsa mediat italiane kanë përcjellë detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje.
Duket se 40-vjeçarit Valter Serani, autoritetet ia kishin vënë syrin prej kohësh. Ata dyshonin se shqiptari ishte peshk i madh i trafikut të drogës në zonë dhe mesa duket kishin të drejtë. U desh një hetim kompleks për të shkuar deri tek arrestimi i shqiptarit.
Në shtëpinë e shqiptarit u gjet një sasi e konsiderueshme droge e cila ishte bërë gati për t’u shitur. Ai e kishte fshehur drogën mes mobiljeve. Por jo aq mirë sa për t’i shpëtuar nuhatjes së qenit antidrogë.
Autoritetet italiane vlerësojnë se nëse droga do të dilte në treg do të arrinte fitime deri në 400 mijë Euro. Pritet që shqiptari të dalë ditën e nesërme para gjykatës. Ndërkohë, sipas mediave, duket se hetimet nuk do të marrin fund vetëm me arrestimin e Seranit.
Sipas tyre, agjentët e policisë janë të vendosur që të zbulojnë edhe pjesët e tjera të enigmës që deri më tani mbeten mister. Kjo pasi dyshohet se pas Seranit fshihet një organizatë ndërkombëtare italo-shqiptare që trafikon kokainë nga Tirana në territorin italian të Fermano-s./tvklan.al