Autoritetet kishin paralajmëruar qytetarët të qëndronin në shtëpi
Një luan që u arratis nga një cirk pranë Romës u kap pas disa orësh duke shëtitur rrugëve të qytetit të Ladispolit.
Kryebashkiaku i qytetit italian Alessandro Grando, kishte paralajmëruar banorët të qëndronin në shtëpi ndërsa autoritetet kërkonin të kapnin kafshën.
Videot e publikuara nga media italiane tregojnë luanin duke ecur nëpër rrugë të shkreta në mes të natës. Luani shihet duke endur mes makinave të parkuara dhe para portave të shtëpive.
Më shumë se pesë orë pas mesazhit të tij të parë që bënte thirrje për kujdes, Grando siguroi në faqen e tij në Facebook se luani ishte kapur.
“Shpresoj që ky episod mund të rrisë ndërgjegjësimin dhe se më në fund do t’i japim fund shfrytëzimit të kafshëve në cirk”, shkroi ai në rrjetet sociale duke falënderuar shërbimet e urgjencës dhe vullnetarët që ndihmuan gjatë orëve të një shqetësimi të madh.
Ende nuk dihet se si është arratistur luani i cili u gjet në gjendje të mirë shëndetësore por i frikësuar.
Klan News