Katastrofa humanitare në Onkologji është si rezultat I papërgjegjësisë dhe mosorganizimit të pushtetit aktual – thonë nga LSDM-ja duke kërkuar përgjegjësi nga kompetentët. Nga VMRO-DPMNE shtrojnë pyetjen nëse kriza në Onkologji është shkaktuar në mënyrë artificiale, për të përfituar kompanitë farmaceutike të afërta me socialdemokratët.
Për kaosin në onkologji duhet të ketë përgjegjësi nga Drejtorët e Klinikave, Klekovski dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, reagojnë nga LSDM-ja, duke potencuar se të papranueshme janë justifikimet dhe arsyetimet kur bëhet fjalë për jetët e njerëzve dhe kaosin në onkologji.
LSDM
“Drejtorët e Klinikës për Onkologji, Drejtori i Fondit të Shëndetësisë, Saasho Klekovski dhe Ministri për Shëndetësi, Arben Taravari, duhet të dorëhiqen dhe të tërhiqen. Aspak nuk është bërë plani adekuat dhe me kohë nuk janë furnizuar ilaçet, nuk është bërë sistemi, regjistri, asgjë nuk është bërë kurse pacientët janë lënë të vuajnë. Madje edhe tani, qeveria dëshiron ta zgjidh problemin me donacione derisa po paralajmëron blerjen e aeroplanit. E turpshme, e papërgjegjshme dhe e trishtë.”
Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE-ja duke shtruar pyetjen nëse veledrogeria Panovski, që sipas tyre është e afërt me socialdemokratët, është duke krijuar krizë artificiale në Onkologji për të shantazhuar me çmime shëndetësinë në vend.
Sipas VMRO-DPMNE-së, kjo veledrogeri, për cdo vit vetëm nga Onkologjia ka marrë mbi 12 milion euro. Ftojnë organet kompetente që të marrin masa për zgjidhjen e këtij problemi, të cilën e quajnë “mafia e vdekjes”.
VMRO – DPMNE
“A krijohet kjo krizë artificiale vetëm që të blehen ilaçe me çmime enorme nga Veledrogeria Panovski?
A e mbështet Venko Filipçe këtë veledrogeri në kohë krize dhe nëse qëndron pas saj?
Sa janë përfitimet ekstra të mafisë farmaceutike?
Kush përfiton në vuajtjet e të sëmurve?”
Ndërkaq, përfaqësuesit e shoqatës së pacientëve onkologjik kërkuan personalisht nga Ministri Taravari që sa më shpejtë të jenë në dispozicion ilaçet që janë deficitare dhe një pjesë e tyre të vendosen në listën pozitive.
Mbi 300 të sëmurë të cilët tashmë 8 ditë janë pa terapi janë në pritje të realizimit të anekseve të marrëveshjeve ekzistuese dhe të sigurohen donacione nga prodhuesit, ashtu sic kishin paralajmëruar nga Fondi Shëndetësor për të mbuluar deficitin ekzistues.
Për momentin në Onkologji mungojnë 6 ilaçe kurse ky deficit është që nga fundi I javës së kaluar. /tvklan.mk