Kaosi në Izrael, anulohet fluturimi Tel Aviv-Rinas

Avioni i radhës për të sjellë shqiptarët ishte planifikuar paraditen e së hënës

“Fluturimi i parashikuar nga Aeroporti i Tel Avivit për në Aeroportin e Rinasit këtë të hënë në orën 10:15 është anuluar. Kjo për shkak se autoritetet atje kanë minimizuar në maksimum fluturimet e civilëve në shtetet e tjera për arsye sigurie”, raportoi nga Aeroporti i Rinasit, gazetari Maksi Rama.

Kjo evidentohet edhe në publikimet e aeroportit te Tel Avivit, por edhe në websiten e aeroportit të Rinasit statusi i anulimit të fluturimit të kompanisë izraelite që kishte planifikuar të mbërrinte në Shqipëri. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me fluturimin e planifikuar nga Rinasi për në aeroportin “Ben Gurion” të Tel Avivit, i cili është anuluar gjithashtu.

Duke marrë shkas nga situata kaotike e krijuar nga lufta në Izrael, autoritetet shqiptare kanë bërë thirrje për të gjithë ata që kanë planifikuar udhëtime drejt këtij shteti, t’i shmangin për arsye sigurie.

Nga ana tjetër, mbrëmjen e së dielës mbërritën në vendin tonë 40 shqiptarë të cilët jetonin e punonin në Izrael, mes të cilëve edhe shtetas nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Udhëtimi i tyre nga Tel Avivi për në Rinas u bë me avionin “Air Albania” dhe u pritën në aeroport nga Ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Sipas Ministrisë se Jashtme, këto ditë do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme nga Tel Avivi, por pa caktuar një ditë apo orar konkret. Ndërkohë që ky dikaster është në koordinim edhe me ministritë simotra të vendeve të rajonit dhe Ambasadën Shqiptare në Izrael për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share