Që nga korriku e deri tani, duket se fjala e Bilall Kasamit, Kryetarit të Komunës së Tetovës, vazhdon të injorohet nga bashkëpunëtorët e tij, pavarësisht ndryshimeve në strukturat udhëheqëse të institucioneve. Edhe pse SPB Tetovë tashmë drejtohet nga një kuadër i Lëvizjes Besa, familjar i ngushtë i Kasamit, kritikat e tij për funksionimin e këtij institucioni dhe problemet me parkimin e automjeteve në rrugët dhe bulevardet e qytetit hasin në vesh të shurdhër.
Në korrik, Kryetari Kasami deklaroi:
“Brenda marrëveshjes që kemi arritur me Sektorin e Punëve të Brendshme dhe me Drejtorinë e Parkingjeve, qytetarët nuk do të mund të parkojnë automjetet në rrugë dhe bulevarde ku parkimi është i ndaluar, sepse kjo krijon kaos dhe pengesa.”
Por, disa javë më vonë, ai ndryshoi qëndrim, duke fajësuar pjesëtarët e policisë për mungesën e bashkëpunimit.
“Shpresoj që policia e Tetovës të na ofrojë përkrahjen e nevojshme. Ndërkohë që kemi përkrahje nga kryeshefi, strukturat më të ulëta të policisë, që janë po ato të së kaluarës, kanë treguar rezistencë ndaj bashkëpunimit.”
Megjithatë, edhe sot situata mbetet e pandryshuar, dhe rrugët kryesore të Tetovës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga automjetet e parkuara ilegalisht.
Kasami përsëri akuzoi policinë, duke thënë:
“Kjo është një çështje direkte për ata. Kërkesa ime është që aksionet të mos jenë simbolike, por të përditshme. I bëj thirrje përsëri policisë së Tetovës dhe Drejtorisë së Parkingjeve që të pastrojnë bulevardet si Bllagoja Toska dhe Ilinden nga veturat e parkuara në vende të ndaluara.”
Bilall Kasami duket se nuk ia del mbar në zbatimin e vendimeve të tij. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndaj policisë dhe institucioneve të tjera, ato duket se nuk e marrin parasysh. Kjo tregon mungesë të qartë autoriteti dhe bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Tetovës dhe institucioneve përkatëse, duke bërë që problemet infrastrukturore të qytetit të mbesin të pazgjidhura. /tvklan.mk