Kaos në Kuvend, opozita hedh tymuese në seancë

Berisha: S’ka kthim pas pa plotësuar kërkesat. Balla: Shkoni në “Kushtetuese”

Me të njëjtin skenar dhe të njëjtat kërkesa opozita bllokoi sërish seancën plenare. Edhe kjo e enjte ofroi tension, kaos, tymuese dhe karrige të mbledhura grumbull përpara foltores së Kuvendit.

Por situata kaotike i kushtoi përjashtimin njërit prej demokratëve në sallë.

“Zoti Korreshi në bazë të nenit 65 ju përjashtoj nga dita e sotme nga seanca, lironi sallën”, tha Lindita Nikolla.

Sali Berisha i cili komunikimin e vijoi nga rrjetet sociale paralajmëroi mazhorancën se nuk do ketë rikthim të jetës normale parlamentare deri në ngritjen e komisioneve hetimore, përfshirjen e opozitës në komisionin e reformës zgjedhore dhe heqjen dorë të shumicës nga përfshirja në zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike.

“Qëndresa jonë është pa kthim”, tha Berisha.

Në kundërpërgjigje, Taulant Balla mes tymit e kaosit i tregoi Berishës derën e Gjykatës Kushtetuese.

Përse nuk mblidhni 28 firma dhe ta çoni ankesën tuaj në Gjykatë Kushtetuese? A i keni ezauruar ju të gjitha instrumentet ligjore për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese apo keni harruar që Gjykata Kushtetuese ua ka rrëzuar kërkesat”, tha Balla.

Kaq mjaftoi që Sali Berisha përgjigjen t’ia kthejë në kohë reale nga rrjetet sociale, duke lëshuar lum akuzash ndaj tij.

Për kaosin e krijuar në sallë Balla i kujtoi demokratëve se janë duke konsumuar vepër penale.

“Vendosja e flakadanëve dhe lëndëve kimike, në sallat e mbyllura dhe të hapura po të doni është një vepër penale. Mos u përdorni mish për top për hallin e një njeriu të vetëm”, tha Balla.

Pavarësisht situatës dhe tymueseve që u hodhën në sallë, mazhoranca rrëzoi 6 projektligjet e propozuara nga opozita.

Nën pushtetin e tymit, ku Sali Berishës iu desh të fshijë sytë dhe Lindita Nikollës jo pak herë të kollitet, Kuvendi i mbylli punimet për 20 minuta.

Por palët akuzat i vijuan edhe jashtë parlamentit.

“Kur shkelet Kushtetuta nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë duhet të zbatohen rregullat kushtetuese, ashtu mund të funksionojë mafia e shpellave, e bodrumeve”, tha Berisha.

“E drejta për të kërkuar dhe për të ngritur komisione hetimore e opozitës nuk mund ta kthejë parlamentin në një super organ sepse është raporti i organeve kushtetuese që duhet ruajtur”, tha Bledi Çuçi.

Opozita ka paralajmëruar se do e përshkallëzojë aksionin e saj politik duke u ngujuar deri në grevë brenda në parlament.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share