Kaos me përmbytjet në Brazil, 36 viktima

500 persona zhvendosen nga zona bregdetare në juglindje të vendit, në disa qytete shpallet gjendja e jashtzakonshme

Shiu i rrëmbyeshëm ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në zonat bregdetare në juglindje të Brazilit, duke vrarë të paktën 36 persona dhe duke zhvendosur qindra të tjerë.

Në shtetin e Sao Paulos, pamjet televizive dhe të mediave sociale treguan lagje të tëra nën ujë, mbeturina të cilat kanë mbuluar qindra banesa, autostrada të përmbytura dhe makina të shkatërruara nga pemët e rrëzuara.

Sao Sebastio është ndër më të goditurit, ku sasia e rreshjeve të rëna në 24 orë arriti në 600 milimetër. Guvernatori i shtetit Sao Paulo, Tarcisio de Freitas shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në pesë qytete. 566 njerëz janë evakuar deri më tani ndërsa një pjesë e madhe kanë mbetur të pastrehë.

Ngjarjet e karnavaleve u anuluan në Sao Sebastiao, Ubatuba, Ilhabela dhe Bertioga. Më shumë se 100 zjarrfikës janë vendosur në dispozicion me ndihmën e helikopterëve, për të evakuar njerëz të tjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre.

Parashikimet e motit tregojnë se shirat e dendur do të vazhdojnë në zonën bregdetare të Sao Paulos, duke vështirësuar kështu kërkimet si dhe duke nxitur frikën se numri i vdekjeve mund të rritet. Qeveria federale urdhëroi mobilizimin e disa ministrive për të ndihmuar njerëzit, për të rivendosur infrastrukturën dhe për të filluar punën e rindërtimit.

Presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva do të vizitojë zonat kryesore të prekura dhe deklaroi se qeveria në të gjitha nivelet do të punojë për të kujdesur për të lënduarit, për të kërkuar personat e zhdukur dhe për të rivendosur në punë , energjinë dhe telekomunikacionin.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share