I morën me anë të kanosjes dhe dhunës, një shumë parash, një shtetasi, vihen në pranga 3 autorët e dyshuar.
Në banesën e njërit prej tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra doza me kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.
Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se 3 shtetas kishin kanosur dhe dhunuar një shtetas dhe i kishin marrë atij, një shumë parash, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit “Postimi”, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
D. R., 23 vjeç, E. B.(S), 25 vjeç dhe F. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D. R.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.
Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: A. K., 43 vjeç, A. H., 51 vjeç, A. B., 29 vjeç, të tre banues në Elbasan, pasi kanë patur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në Polici.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al