Kampioni në fuqi, Struga Trim Lum, në katër ndeshjet e para të sezonit pranverore siguroi një fitore dhe tre barazime, të cilat ia garantojnë edhe vendin e parë në tabelë. Nga kjo pozitë nis si nikoqire në rrethin e tretë ku përfundimisht do të vendoset titulli kampion për sezonin 2023 / 2024. Në javën e 23-të Struga Trim Lum është nikoqire e AP Brera, një skuadër e pa përshtatshme që pretendon të gjendet në mesin e katër ekipeve të para.
“Sigurisht se ndeshje shumë e vështirë kundër Brerës, e dimë se përballemi me një ekip shumë kualitativ të cilët i kanë bërë probleme edhe Shkëndijës edhe Shkupit por edhe neve në ndeshjet e mëparshme. Por shpresojë se me angazhim maksimal tre pikët do të mbeten në Strugë” – tha Besmir Bojku, futbollist i Struga TL.
Në stadiumin e qytetit në Tetovë, Shkëndija është nikoqire e Voska Sportit, Gostivari është nikoqire i Vardarit, Shkupi përballet me Rabotniçkin, Sileksi në Kratovë takohet me Makedonija Gjorçe Petrovin dhe në Kavadar Tikveshi është nikoqire e Bregallnicës. Të gjitha ndeshjet luhen të dielën me fillim në ora 14:00. /tvklan.mk