Italia, e cila pret numrin më të madh të emigrantëve që vijnë në Bashkimin Evropian hap një nga dy kampet e planifikuara në Shqipëri.
Qendrat do të përdoren për të strehuar deri në 3000 emigrantë në muaj, të shpëtuar gjatë rrugës për në Itali, si pjesë e skemës së parë të “offshorit” të Europës, ndërsa kontinenti përballet me mënyrën se si t’i përgjigjet sfidës së migrimit të parregullt.
Sipas BBC, kampi që hapet sot ndodhet në portin verior shqiptar të Shëngjinit. Hapja e një qendre të dytë, në një ish-bazë të forcave ajrore në Gjadër aty pranë, është vonuar.
Strukturat do të menaxhohen tërësisht nga qeveria italiane, e cila ka paguar për ndërtimin e tyre.
Ato do të përdoren për emigrantët e kapur në ujërat ndërkombëtare, por jo për gratë, fëmijët ose ata që konsiderohen të pambrojtur.
Pasi të jenë atje, emigrantët do të lejohen të kërkojnë azil në Itali. Nëse refuzohen, ata do të kthehen në vendet që konsiderohen të sigurta për t’u kthyer.
“Në këto qendra do të zbatohet legjislacioni italian dhe europian. Është si të kesh një qendër në Itali, por në Shqipëri”, tha Fabrizio Buçi, ambasadori i Italisë në Shqipëri.
Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministrja italiane, Meloni dhe kryeministri Rama do të qëndrojë në fuqi për pesë vjet, me opsionin për t’u zgjatur nëse rezulton e suksesshme në reduktimin e barrës së emigrantëve në Itali dhe për të penguar disa nga përpjekjet për të ardhur.
Mbërritjet në Itali përmes detit këtë vit, rreth 31,000 deri më tani, janë ulur me më shumë se gjysmën nga e njëjta periudhë e vitit 2023.
Giorgia Meloni, kandidoi për postin duke premtuar se do të shtypte fort emigracionin dhe plani i Shqipërisë është bërë një parim kyç i kësaj.
Çmimi i lartë, i vlerësuar në mbi 650 milionë euro, është një nga kritikat e ngritura nga politikanët e opozitës italiane dhe grupet e të drejtave të njeriut.
Transmeton Top Channel