Kamberi: Beogradi do tentojë ta ndalë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë, por do dështojë

“Është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë. Bashkëpunimi jonë me Kosovën e Shqipërinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë, por do të dështojë”.

Kështu ka reaguar përmes një statusi në Facebook deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shap Kamberi, pasi autoritet serbe ia kanë ndaluar vizitën në Luginë të Preshevës, ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçlës.

Kamberi ka potencuar se i lejes për Sveçlën nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, “mirëpo sjell edhe njëherë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, “ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare”.

Ai tutje ka dënuar ashpër qasjen e vazhdueshme të ekzekutivit serb i cili sipas tij, “vazhdon me getoizimin e Luginës së Preshevës”. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky akt i shtetit serb ndaj vizitës së tij është dëshmi e qasjes destruktive dhe shtypjes së vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve që jetojnë atje.

“Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet”, shkroi ai në Facebook.

“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”. Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, pohon Sveçla, “nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës”.

“Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, potencoi kreu i MPB-së.

Në përfundim, ministri Sveçla theksoi se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, “ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”. (AP)

Lexo gjithashtu
Total
0
Share