Kalimet e pasigurta për këmbësorët në Tetovë marrin jetë njerëzish!

INSTITUCIONET DËSHTOJNË TË NDËRTOJNË NJË METËR MUR NDARËS

Këtij të moshuari iu deshën më shumë se pesë minuta që të siguroj vendin për të kaluar rrugën, e ai fajsonte shoferët pasi që mendonte se po kalon në vrndkalim për këmbësorë ndërsa nuk e dinte se aty nuk ka asnjëlloj sinjalistike për të bërë kalimin e tij të sigurt.

 

Një 60-vjeçar nga fshati Tearcë humbi jetën pasi u godit nga një makinë që drejtohej nga një 25-vjeçar nga fshati Kamjan i Tetovës. Aksidenti ndodhi një ditë më parë në bulevardin “Iliria”, tek zona e njohur si “Monopoli”. Në vendin e aksidentit nuk ka asnjë shenjë vertikale apo horizontale që tregon se ekziston një vendkalim për këmbësorë, çka do të obligonte shoferët të ndalonin. Për më tepër, vetëm 30 metra më lart ka një vendkalim të shënuar, ku deri më sot nuk kanë ndodhur aksidente të tilla, për shkak të kujdesit të shtuar të shoferëve në respektimin e rregullave të trafikut.Policia e Tetovës pranoi se kjo pjesë e rrugës nuk ka sinjalistikë të duhur, ndërsa rruga është e klasifikuar si rrugë rajonale me rregulla të rrepta për kalimet e këmbësorëve.

 

Në vendin për të cilin po pyesni, në bulevardin ‘Iliria’, në hyrjen kryesore të ‘Monopolit’, nuk ka asnjë shenjë trafiku për vendkalim këmbësorësh, as nuk është shënuar ndonjë vendkalim. Këmbësorët shpesh e përdorin këtë vend për të kaluar rrugën, duke vënë në rrezik sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të trafikut,” deklaruan nga SPB-Tetovë.

 

Sipas policisë, ata kanë kërkuar disa herë, edhe në mënyrë zyrtare, nga institucionet përkatëse, si Drejtoria për Rrugët Shtetërore dhe Komuna e Tetovës, që të rregullohet kjo zonë e pasigurt për kalimin e këmbësorëve.

 

Stacioni policor për sigurinë në komunikacionin rrugor i SPB Tetovë, gjatë viteve, ka vërejtur këtë problem dhe ka kërkuar nga organet kompetente që të rregullohet vendkalimi, duke theksuar se ai duhet të shënohet si vendkalim për këmbësorë dhe të vendoset sinjalistikë, ose të mbyllet për të mundësuar qarkullim të sigurt dhe të rregullt. Deri tani, kjo kërkesë nuk është përmbushur,” shtuan nga SPB-Tetovë.

 

Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë vazhdon të jetë aktiv në kontrollet e përditshme si për shoferët, ashtu edhe për këmbësorët, për të parandaluar dhe sanksionuar shkeljet e rregullave të trafikut. Vetëm gjatë këtij viti, janë dhënë mbi 200 sanksione për këtë problematikë.

 

Nga 1 janari deri më 31 gusht 2024, punonjësit policorë të stacionit policor për sigurinë në komunikacionin rrugor kanë sanksionuar gjithsej 94 shoferë që nuk kanë lejuar kalimin e këmbësorëve në vendkalime të shënuara, si dhe janë gjobitur 131 këmbësorë që kanë kaluar rrugën jashtë vendkalimeve të shënuara ose nuk kanë respektuar sinjalistikën,” njoftuan nga SPB-Tetovë.

 

Aksidenti fatal në këtë pjesë të bulevardit në Tetovë tregon për një problem të kahershëm me mungesën e sinjalistikës për këmbësorët, që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Megjithëse institucionet përkatëse janë njoftuar dhe janë bërë kërkesa për zgjidhjen e problemit, deri tani nuk janë ndërmarrë masa. Kjo situatë evidenton nevojën urgjente për rregullimin e këtij kalimi të egër që ekspertët thonë se duhet të mbyllet pasi që në atë pjesë të rrugës nuk ka nevojë për dy vendkalime për këmbësorë në më pak se 50 metra largësi. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share