Shteti në Maqedoninë e Veriut përveç se nuk bën gjë për artin dhe artistët, jep edhe mesazhe dekurajuese për artistët e rinj. Kështu vlerëson Besfort Idrizi, Dekan në Fakultetin e Arteve në SHKM.
“Në çdo krizë buxheti i parë, i cili është prekur, është shkurtuar, është cunguar është buxheti për kulturë. Nëse një mesazh është dërguar dretj artistëve, ka qenë që ‘momentalisht, ju nuk na duheni’ dhe është vërtetë një mesazh shumë i gabuar, por do të thoja edhe goxha i rëndë për artistët e rinj”, deklaroi Besfort Idrizi, Dekan i Fakultetit të Arteve në SHKM.
Idrizi në 99 Minuta, shtoi se studentët e artit, duke i parë të gjitha rrethanat dhe vështirësitë me të cilat përballen, ndodhen para dilemës, nëse ja vlen të merren me art apo edhe ata si të tjerët, të shohin të ardhmen e tyre larg Maqedonisë, përcjell KlanM.
Në Maqedoni, sipas Idrizit, është vështirë të merresh me art e të sigurosh jetesën nga arti.
“Tek ne nuk është e lehtë për të qenë njeri i artit e aq më tepër për të qenë njeri që do i përkushtohet artit dhe të mos merret me asgjë tjetër përveç artit. Është një lloj luksi që një i ri të mund t’ia lejojë vetes që të merret vetëm me art e të mos i interesojë asgjë tjetër. Të mos merret me punë tjera me të cilat do e siguronte mbijetesën e vet”, deklaroi Idrizi./KlanMacedonia