Edhe pse ditëve të fundit me deklaratat e tyre publike as kryeministri Kovaçevski, as kreu i BDI-së Ahmeti e as kreu i ASH-së opozitare nuk e pranojnë marrëveshjen, megjithatë siç ka arritur të mësojë Klan Maqedoni, jozyrtarisht, ajo tashmë është kryer.
Qeveria do të zgjerohet edhe me një parti tjetër. Aleanca për Shqiptarët do të jetë partneri më i ri qeverisës i LSDM-së dhe BDI-së.
Nga BDI dhe nga Qeveria nuk kemi konfirmim zyrtar për ndarjen e përgjegjësive.
Jozyrtarisht nga burime partiake Klan Macedonia mëson se me zgjerimin e koalicionit qeveritar, përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët do të udhëheqin me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe eventualisht me Ministrinë e Bujqësisë. Përveç këtyre, sipas marrëveshjes së arritur, Aleancës për Shqiptarët do t’i takojnë edhe 30 drejtori.
Zërat për zgjerimin e shumicës qeveritare filluan javë më parë, por në nivel spekulimesh. Para disa ditësh kreu i ASH-së, Arben Taravari takoi kryeministrin Kovaçevski në zyrën e këtij të fundit. Pas takimit të dy dolën me deklarata të ngjajshme se nuk kanë folur për zgjerim qeveritar, por për të ardhmen e vendit. Pas këtij takimi ishte kreu i BDI-së, Ali Ahmeti që pranoi se ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të Aleancës./KlanMacedonia