Jovanoviq: Nuk e di se kush më ka plagosur

Millan Jovanoviq, i cili mbrëmë vonë u transportua në QKS në Mitrovicën e Veriut, pasi u plagos në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit, ka thënë se gjithçka ka ndodhur kur ai po kthehej në shtëpi nga Leposaviqi dhe se nuk është i sigurt se kush e ka plagosur.

“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”. Dëgjova plasaritjen e xhamit prapa dhe përpara dhe sinqerisht u tremba, vazhdova, u nisa për në shtëpi. Arrita në deri në vendin e quajtur “Guri i larmë” dhe çfarë ndodhi më pas, ku është vetura, kush më solli, nuk e di”, ka thënë Jovanoviq.

Pas pranimit në QKS në Mitrovicën e Veriut, Jovanoviq është operuar në repartin e kirurgjisë dhe sipas kirurgut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij ende po monitorohet.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke i hetuar rrethanat e plagosjes, derisa tha se i plagosuri aktualisht ndodhet në Spitalin e veriut duke marrë trajtim mjekësor.

PK-ja thotë po ashtu se një njësitë policor ndodhet në Spitalin e qytetit dhe po kryen hetime intensive.

“Nga aty kan pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij. Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.”, ka njoftuar policia.

Tutje Policia ka sqaruar edhe raportimet e mediave serbe se ky institucion është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri.

“Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshir në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendren spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jasht rrezikut për jetë.”, njofton tutje PK-ja. /EO

Lexo gjithashtu
Total
0
Share