Të afërmit e viktimave që mbyten në det kërkojnë ndihmën e autoriteteve për gjetjen e trupave
Kjo nënë tuniziane ende vazhdon të shpresojë se djali i saj i mbijetoi udhëtimit të vështirë me anije në Evropë, megjithëse nuk ka marrë asnjë lajm për të për muaj me rradhë. 21 vjeçari kishte mbledhur 7,000 dinarë për të paguarudhëtimin e tij, me qëllimin për të nisur një jetë të re dhe të ndihmonte me të ardhura familjen e tij. Por anija me të cilën udhëtonte u mbyt dhe u shkaktuan shumë viktima. Megjithatë, trupi i tij nuk u gjet kurrë. Nëna e tij, Monia Gmati ka pritur në çdo spital dhe morg, ka kontaktuar gazetarët dhe ka dërguar foton e djalit të saj tek autoritetet në Itali, por pa rezultat.
“Aktualisht janë 8 persona të zhdukur, të cilët ende nuk janë gjetur. Nuk kam lënë spital apo ndonjë vend tjetër pa vizituar. Kam kontaktuar agjenci të ndryshme lajmesh dhe madje kam dërguar fotot e tij në Itali. I kam kërkuar dikujt atje ta kërkojë, por të gjithë më thanë se nuk mund ta gjenin dot. Ku janë këto 8 persona? Po t’i merrte deti, ata do të dilnin në sipërfaqe. Deti mund t’i kishte shpërndarë kudo. Ata që u mbytën u gjetën të pajetë, të paktën ata u varrosën dhe u vajtuan, nuk e kam gjetur, as të vdekur e as të gjallë, për 6 muaj, dhe tani është muaji i shtatë dhe djali im nuk është këtu, po jetoj me shpresën se do të kthehet tek unë. Më telefonojnë në punë duke më kërkuar të kthehem, por unë refuzoj. Dua të qëndroj në shtëpi, kështu që nëse dikush vjen dikush për të më kërkuar, do të mund të më gjejë.”
Edhe pse ka muaj që nuk ka asnjë lajm për djalin e saj ajo ende beson se ai mund të jetë gjallë.
“E dini pse jam akoma gjallë? Thjesht sepse po mbahem pas shpresës se është akoma gjallë. Gjithmonë them që djali im është mirë, do të kthehet, nuk do të më lërë. Pra kjo më bën të jetoj, përndyshe nuk kam dëshirë të jetoj. Unë nuk kam asgjë. Unë jetoj për të. Njerëzit më thonë të kujdesem për fëmijët e mi të tjerë, dhe unë them po, ata janë fëmijët e mi, por Sofiani është unik, askush nuk është si ai.”
Skenarin se djali i saj mund të ketë ndërruar jetë, kjo nënë refuzon ta pranojë.
“Policia më tha “pranoje situatën” – u thashë “nuk do ta pranoj”, u thashë, “është e pamundur të më thuash që djalin tim e ka përpirë deti. Kjo është diçka që unë nuk do ta pranoj.”
Me lot në sy ajo kujton fjalët e fundit që i tha i biri.
“Ai më tha, “ose do të vuaj këtu ose do të vuaj jashtë vendit, ose do të udhëtoj dhe do të ndryshoj jetën time dhe tënden, ose do të vdes”.
Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe Mohammed Issaoui. Për muaj të tërë ai bën 120 km në ditë nga shtëpia e tij në qytetin Kairouan për në qytetin tjetër Sfax dhe kalon orë të tëra duke kërkuar në morgjet e spitaleve dhe madje edhe në plazhet lokale për të marrë vesh diçka për vëllain e tij, i cili u zhduk vitin e kaluar.
“Që kur e mora vesh lajmin, kam dy muaj që shkoj çdo ditë në spital. Në mëngjes shkoj në spital rreth orës 9 ose 10 dhe qëndroj deri në orën 13:00, pastaj kthehem në shtëpi, çdo ditë”.
Mohammed Lafi kishte një taksi dhe në njëfarë mënyrë kishte të ardhura.
Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për t’i ndryshuar mendjen dhe ai mori vendimin për të rrezikuar të gjitha çfarë kishte arritur dhe të niste një jetë të re në Evropë.
“Të rinjtë nuk kanë asgjë. Të diplomuarit janë të papunë në Tunizi. Jeta në Tunizi është e vështirë dhe të jetosh është e shtrenjtë. Më përpara dhjetë dinarë, por tani ato nuk dalin për asgjë. Të rinjtë, në përgjithësi, janë ata që emigrojnë, – nëse do të kishin mundësi, nuk do të rrezikonin jetën e tyre në varkën e vdekjes.”
I riu iishte një nga 40 personat që u zhdukën në janar të vitit të kaluar, kur varka e tyre u zhduk pasi u nis nga një plazh pranë portit të Sfax për në ishullin italian të Lampedusa, vetëm disa orë larg.
“E gjithë familja është e pikëlluar… sidomos vëllezërit e tij më të vegjël, dhe ne, vëllezërit e motrat e tij më të mëdhenj – unë, Salem dhe Habib… Deri më tani, gjendja jonë nuk është e mirë. Jeta ka qenë e vështirë edhe më përpara, por tani po bëhet edhe më keq. Jeta ka humbur kuptimin e saj.”
Motra e tij Ines Lafi, ende e hutuar nga vendimi i vëllait të saj për t’u larguar nga vendi.
“Nuk e kam parë më vëllanë që nga data 1 ose 2 janar të vitit të kaluar, ai punonte si taksixhi dhe ishte në gjendje të mire ekonomike, nuk e di si i ka ardhur në mendje kjo ide si e të gjithë të rinjve, të shkojnë në Itali dhe të jetojnë atje, me shpresën për një jetë më të mirë dhe luksin që imagjinojnë se do të gjejnë në Itali. Ishte një ëndërr si ëndrra e çdo të riu, ndaj u largua”.
Gjatë vitit të kaluar, numri i personave të zhdukur dhe viktimave në brigjet e Tunizisë ka arritur në më shumë se 1,300, kryesisht nga vendet afrikane. Vetëm në muajin e parë të vitit 2024, më shumë se 100 njerëz u mbytën pranë Tunizisë , duke përfshirë 60 tunizianë, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur.
Rritja e këtij bilanci tragjik vjen pavarësisht një goditjeje nga autoritetet e Tunizisë, me policinë që çmontoi rrjetet e kontrabandës dhe ndaloi mijëra njerëz në breg dhe në det teksa përpiqeshin të kalonin në Lampedusa.
Të rinjtë tunizianë tundohen për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm për shkak të një zhgënjimi në rritje në mesin e tunizianëve për të ardhmen e vendit të tyre. Përveç kësaj ata joshen nga postimet në mediat sociale të bashkatdhetarëve të tyre që shfaqin jetën e re dhe të suksesshme në Evropë.
“Numri i anijeve me emigrantë nga brigjet e Tunizisë do të ulet për shkak të masave shtrënguese të miratuara nga autoritetet e Tunizisë në trajtimin e çështjes së emigrantëve, në koordinim me Italinë, vendet e Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu – siç e kemi parë së fundmi në koordinim edhe me Algjerinë dhe Libinë për të menaxhuar këtë krizë dhe për të reduktuar flukset. Rrjedhimisht, viti 2024 do të dëshmojë më pak anije. Megjithatë, mund të jetë një vit më tragjik pasi emigrantët e bllokuar në Tunizi, të shtyrë nga dëshpërimi, zhgënjimi, mund të marrin rreziqe më të mëdha duke rrezikuar sigurinë dhe sigurinë e tyre. Ky vit mund të bëhet një vit tragjedie”.
Anijet e emigracionit dikur joshnin vetëm të papunët dhe të dëshpëruarit, por ato transportojnë gjithnjë e më shumë tunizianët e shtresës së mesme, ndonjëherë edhe familje të tëra. Tunizia po vuan një krizë ekonomike me mungesë të artikujve bazë si buka dhe sheqeri, duke çuar në radhë të gjata në dyqane dhe zhgënjim të gjerë. Kjo krizë i ka detyruar shumë të largohen nga vendi i tyre dhe shumë kanë humbur jetën.
Familjet e viktimave kanë filluar të mbajnë protesta për kushtet e këqija në vend dhe që ata besojnë se i kanë çuar të dashurit e tyre drejt vdekjes. Në protestat e fundit në Sfax dhe portin verior të Bizerte, familjet bllokuan rrugët dhe mbanin fotografi të të vdekurve dhe të zhdukurve. Ata bënë thirrje që autoritetet tuniziane të fillonin kërkimet me helikopterë për të gjetur trupat e pajetë në det.
Klan News