“Qesh gjithnjë kur dëgjoj histori dhe thashetheme sesi Cristiano Ronaldo është një prezencë shkatërruese në kampin portugez sepse kjo është e gjithë çka janë, histori”. Kjo është hyrja e një artikulli të BBC Sport nga Jose Fonte i cili përshkruan përvojën e tij disavjeçare në kombëtaren e Portugalisë, krah yllit botëror.
“Kam kaluar shumë vite me të në kombëtare dhe s’kam hasur kurrë probleme. Ajo që di është se jo vetëm është një profesionist, por përpiqet të ndihmojë këdo në ekip. Vetëm duke e vëzhguar, të vijnë idetë se çfarë duhet të bësh që të kesh sukses, por kur je me Cristiano-n, merr më shumë se kaq”.
Fonte vijon duke shpjeguar se Ronaldo nuk është një shembull vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
“Kur ai shkon më herët se të tjerët në palestër apo bën fizioterapi dhe përgatit trupin e mendjen, merr këdo me vete. Ai udhëhiqte dhe ne ndiqnim. Më kujtohet sesi të gjithë bënim banja me akull dhe sauna në 2 të mëngjesit për shkak të tij dhe përveçse rikuperoheshim fizikisht, e rëndësishmja është se i bënim i gjithë ekipi bashkë”.
Shkrimi vlerëson Ronaldo-n si një njeri të aftë për të marrë informacionet e duhura nga ekspertët më të mirë në botë dhe shpërndarjen e tyre me këdo. “Ai flet për gjithçka e pyet sepse dëshiron të përmirësohesh ti dhe skuadra, e kthen në një ambient të mirë pune”.
Fonte shkruan se e njeh yllin portugez prej kohësh, që kur ishin adoleshentë në Sporting dhe ai luante në U-17 edhe pse ishte ende 16 vjeç. Që në atë kohë ra në sy talenti i jashtëzanshëm dhe dëshira e tij për të qenë më i miri.
“Veç aftësisë, kishte një mentalitet fantastik. E shihja në palestër pas stërvitjes duke u përpjekur të bëhej më i fortë dhe i shpejtë kur të gjithë të tjerët kishin shkuar në shtëpi. Ai gjithmonë ka dashur të fitojë. Ishte shumë garues dhe na thoshte se do të bënte më shumë pompa në dush se të gjithë, gjë që sigurisht e arrinte.
Ky vullnet është pjesë e tij dhe ja pse është ende me Portugalinë në Euro 2024 në moshën 39-vjeçare. Ai është një kafshë që do të vazhdojë të fitojë e të fitojë. Jo vetëm është më i miri, por do që ta provojë”.
Sipas Fonte, është pikërisht ky mentalitet që e ka bërë të shtyjë veten të punojë fort sepse nevojitet punë kolosale për të qëndruar në nivelin e tij për kaq shumë vite.
“Ky është Cristiano. Mendërisht, është i pakonkurrueshëm. Është arsyeja pse ka fituar dhe bërë kaq shumë dhe nga gjithçka që e bën lojtarin dhe njeriun që është, kjo është forca e tij më e madhe”, përfundon ai.
Fonte thekson se kontributi dhe vlerat e Cristiano Ronaldo duhet të trashëgohen te më të rinjtë që jo vetëm ky turne, por edhe ajo që do të vijë të ruajnë shpirtin e ekipit./tvklan.al