Fillimisht i nisur nga Gruevski në vitin 2015, transformimi i Xhamisë së Jeni në muze ortodoks u realizua nga pasardhësi i tij, Hristijan Mickoski, i cili, me fuqi absolute mbi koalicionin VLEN, sot kur shënohet dita e Alfabetit të gjuhës shqipe, ka turbulluar ujrat fetare në Manastir.
Për këtë çështje, menjëherë reaguan nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila shprehu kundërshtimin e saj të fortë ndaj transformimit të Xhamisë në muze ortodoks, duke bërë thirrje që zëri i saj të ngritet nga përfaqësuesit diplomatikë dhe qeveria e RMV-së.
Ne, si përfaqësues të besimtarëve muslimanë, e kundërshtojmë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e Xhamisë së Jeni në muze dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që dëmton frymën e shenjtë të Xhamisë” – thonë nga BFI.
Driton Dikena, drejtor pranë BFI-së, ka deklaruar për Klan Maqedoni se një veprim i tillë do të shihet si një tradhti e madhe ndaj popullit musliman, por edhe ndaj shqiptarëve në RMV, duke shtuar se ata që kanë lejuar këtë veprim do të njihen nga historia si tradhtarë të fesë dhe kombit.
Ai tha se gjithmonë kanë pasur tentime për të vepruar njëjtë, por ato janë ndaluar pas reagimeve të BFI-së, ndërsa kjo e tanishmja është një “thikë pas shpine” për popullatën që i takon ajo trashëgimi kulturore e fetare.
“Në vitin 2000-2001 kanë filluar gërmimet arkeologjike dhe gjatë këtyre gërmimeve thuhet se janë zbuluar themele të një kishe të Shën Gjergjit, një gojwdhënw që mbështetet vetëm nga Haxhi Jovan Vasileviqi, një falsifikator jashtëzakonisht i madh i historiografisë shqiptare dhe islame në Ballkan. Fatkeqësisht, në ekipin e këtyre arkeologëve nuk ka pasur arkeolog shqiptar, por as njohës të artefakteve islame, dhe këto gërmime arkeologjike i llogarisim si dyshimta dhe gjithmonë do të kërkojmë revizionin e atyre gërmimeve. Ajo që ka ndodhur është që ne, si BFI, nuk kemi pasur asnjë informacion zyrtar dhe javët që vijnë do të marrim përgjigje për disa pyetje, si dhe përse BFI-ja nuk është konsultuar gjatë kësaj periudhe. Xhamia vazhdon të shkruhet si Jeni Xhami në të gjitha institucionet, nuk është ndryshuar emri, vetëm se disa planprishës po e keqpërdorin duke tentuar ta fusin Kishën e Shën Gjergjit si pjesë integrale të emrit të Jeni Xhamisë, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim institucional që Jeni Xhamia të emërtohet si Kisha e Shën Gjergjit. Për BFI-në, dhe për të gjithë muslimanët, por kjo më së shumti i ka prekur shqiptarët, është një thikë pas shpine dhe tradhti për ata”, tha Driton Dikena nga BFI.
Ndërkaq, kanë reaguar edhe partitë politike. Ky vendim i qeverisë përfaqëson një akt degradues që përçan dhe nxit tensione të reja sociale, duke përkeqësuar klimën e mosbesimit mes komuniteteve, thonë nga BDI. Sipas tyre, qeveria aktuale vazhdon të ndjekë një agjendë që rrezikon stabilitetin dhe harmoninë e shtetit tonë.
Ndërsa, nga kjo parti për Klan Maqedoni wshtw shprehur, Bujar Osmani, i cili këtë veprim e ka quajtur provokim.
“Vendimi ishte skandaloz, i njëanshëm dhe provokativ dhe jo rastësisht BDI ka reaguar, e ky nuk është vendim që është izoluar, por është në vazhdën e provokimeve të vazhdueshme të cilat po minojnë kohezionin dhe harmoninë ndër etnike dhe ndër fetare. Ku do të jetë fundi, nuk e di.” – tha Bujar Osmani
Nga koalicioni VLEN, fajin e kanë hedhur te Bashkimi Demokratik për Integrim, duke deklaruar se kjo procedurë ka nisur në vitin 2011 nga kuadri i kësaj partie, Behixhudin Shehapi, i cili sipas tyre ka lejuar ndryshimin e emrit të Jeni Xhamisë.
“Bashkimi për Devalvimin e Institucioneve duhet të pyesë kuadrin e saj, Behixhudin Shehapin, se pse në vitin 2011, gjatë periudhës kur ai mbante pozita kyçe në institucionet e kulturës, emri i Jeni Xhamisë u ndryshua në “Kisha Shën Gjorgji”. BDI-ja nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo fetare. Me një mendësi enveriste që ka shtypur çdo zë kritik dhe me veprime titiste për t’u shërbyer interesave të huaja, kjo parti ka shkatërruar gjithçka që shqiptarët kanë ndërtuar me shekuj në Maqedoni” – thonë nga VLEN.
Çdo tentativë për të keqpërdorur një objekt të shenjtë si Xhamia e Jeni dhe për ta transformuar atë në një muze ortodoks është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj trashëgimisë sonë kulturore dhe fetare. Kjo nuk është vetëm një shkelje e thellë e të drejtave të besimtarëve muslimanë, por një akt që shkatërron dhe manipulohet me identitetin tonë kombëtar. Nuk mund të lejojmë që kjo tradhti të kalojë pa pasojë! Xhamia e Jeni është simbol i besimit dhe kulturës sonë, dhe çdo tentativë për ta shkatërruar atë është një goditje ndaj historisë sonë dhe identitetit tonë. Ne do të qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar, duke mbrojtur çdo gur të kësaj trashëgimie, sepse çdo herë që dikush tenton të shkatërrojë shenjtërinë tonë, ne do të reagojmë me forcën e një populli të nderuar dhe të paluhatshëm janë disa nga komentet e popullatës që kanë reaguar në rrjetet sociale. /tvklan.mk/