Japonia ka planifikuar të shpenzojë rreth 5 trilion jen (37 miliardë dollarë) gjatë pesë viteve të ardhshme për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi mes kërcënimeve ushtarake në rritje, në rajon.
Raportohet se Tokio kërkon të ketë një aftësi mbrojtëse për të goditur bazën e armikut, përballë lëshimeve të vazhdueshme të raketave balistike të Koresë së Veriut.
Sipas raporteve të mëparshme të medieve, Japonia po shqyrton gjithashtu blerjen e raketave nga SHBA-ja.
Blerja e armëve të tilla sulmuese është e diskutueshme në Japoni, duke pasur parasysh kushtetutën e saj pacifiste të pasluftës. Politika e sigurisë në vend, deri më tani është fokusuar ekskluzivisht te mbrojtja.
Megjithatë, në sfondin e një situate gjithnjë e më të tensionuar të sigurisë, vendi i G7 po kërkon të zgjerojë në mënyrë drastike aftësitë e tij mbrojtëse.
Partia qeverisëse e kryeministrit, Fumio Kishida synon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes të Japonisë në të paktën 2% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), gjatë pesë viteve të ardhshme.