30-vjeçarja Egljanta Isufi dyshohet se e lindi beben e vetme në garazhin e pallatit. Më pas, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo u rikthye në shtëpinë e saj duke e lënë të porsalindurin në mëshirë të fatit.
Ngjarja e rëndë u zbulua një ditë më parë në zonën e Yzberishtit, në kryeqytet, atëherë kur një banor i zonës dëgjoi të qarat e bebes së porsalindur. I mituri u dërgua në spital dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Disa orë pas ngjarjes, autoritetet policore arritën të binin në gjurmët gruas që e solli djalin në jetë. 30-vjeçarja fillimisht e mohoi mëmësinë, por policia nuk u mjaftua vetëm më marrjen e saj në pyetje. Në komisariat u shoqërua edhe nëna e saj, që po ashtu fillimisht mohoi të kishte dijeni për ngjarjen. Megjithatë siç raporton gazetari Besar Bajraktaraj, verifikimi i telefonave celularë të nënë e bijë vërtetoi dyshimet e efektivëve.
Egljanta Isufi rezulton që është e pamartuar dhe nuk ka fëmijë të tjerë. Para hetuesve ajo mësohet se ka deklaruar se arsyeja që e ka fshehur shtatzëninë e saj dhe ka braktisur beben ka qenë për shkak se nuk ka dashur që të merrej vesh nga familja e saj, por edhe opinioni publik.
Sa i takon babait të bebes ajo nuk ka dhënë ende asnjë detaj.
Pas ndalimit nga policia, Isufi u dërgua në spital. Pikërisht nga aty, mëngjesin e sotëm policia i ka komunikuar edhe urdhërarrestin e lëshuar ndaj saj, për braktisjen e fëmijës./tvklan.al