Izraeli zgjeron operacionin tokësor

SISTEMI MJEKËSOR BUZË KOLAPSIT NË GAZË

Izraeli tha se po zgjeron operacionin e tij tokësor në Gaza me këmbësori dhe automjete të blinduara të mbështetura nga sulme “masive” nga ajri dhe deti.

Ushtria izraelite publikoi pamje të tankeve që lëviznin ngadalë në zona të hapura të Gazës dhe tha se avionët e tij bombarduan dhjetëra tunele dhe bunkerë nëntokësorë të Hamasit.

Faza e re e fushatës filloi të premten vonë, me bombardimet që ndërprenë komunikimet në Gazën e rrethuar, duke i shkëputur 2.3 milionë banorë nga kontakti me botën e jashtme.

Autoritetet e Libanit kanë dhënë udhëzime për kujdes dhe evakuime në Aeroportin Ndërkombëtar në Bejrut në rast të situatës së jashtëzakonshme, për shkak të rritjes së tensioneve në kufirin Liban – Izrael.

Shkëputja e internetit dhe shërbimeve telefonike e dha një goditje të mëtejshme sistemit mjekësor dhe atij të ndihmës që punonjësit thonë se ishte tashmë në prag të kolapsit.

Spitalet e Gazës kanë kërkuar karburant për gjeneratorët e urgjencës, që vënë në punë inkubatorët dhe pajisjet e tjera për shpëtimin e jetës.

Agjencia shëndetësore e OKB-së dhe grupet e tjera të ndihmës, thanë të shtunën se nuk janë në gjendje të komunikojnë me ekipet e tyre në Gaza.

Numri i të vdekurve palestinezë në Gaza ka arritur në mbi 7,300, më shumë se 60 për qind e tyre të mitur dhe gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territorit.

 Konflikti kërcënon të nxisë një luftë më të gjerë në të gjithë rajonin. Kombet arabe, përfshirë aleatët e SHBA-së dhe ata që kanë arritur marrëveshje paqeje ose marrëdhënie të normalizuara me Izraelin, kanë ngritur alarmin në rritje për një pushtim të mundshëm tokësor, që ka të ngjarë të shkaktojë edhe më shumë viktima mes luftimeve urbane.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share