Izraeli urdhëron evakuim nga Libani jugor, teksa në Bejrut dëgjohen shpërthime

Rockets are launched by Palestinian militants from the Gaza Strip towards Israel, in Gaza, Saturday, Oct. 7, 2023. The militant Hamas rulers of the Gaza Strip carried out an unprecedented, multi-front attack on Israel at daybreak Saturday, firing thousands of rockets as dozens of Hamas fighters infiltrated the heavily fortified border in several locations by air, land, and sea and catching the country off-guard on a major holiday. (AP Photo/Hatem Moussa)

Ushtria e Izraelit u ka bërë thirrje banorëve të më shumë se 20 qytezave në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre menjëherë të enjten. Ndërkohë, në Bejrut janë dëgjuar disa shpërthime të fuqishme.

Thirrjet për evakuim nga qytezat jugore vlejnë edhe për kryeqytetit provincial, Nabatieh, që nënkupton se një operacion tjetër izraelit kundër grupit militant Hezbollah – i cili kontrollon Libanin jugor – është i pashmangshëm.

Izraeli i dërgoi trupat tokësore në jug të Libanit pas dy javëve bombardimesh të pareshtura ajrore kundër Hezbollahut.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Ndërkohë, në periferinë jugore të Bejrutit, bastionin e Hezbollahut, janë dëgjuar tri shpërthime të enjten. Disa shtëllunga të mëdha tymi u panë duke u ngritur lart pas sulmeve të fuqishme izraelite.

Gjatë natës, Izraeli e bombardoi Bejrutin qendror, duke i vrarë nëntë njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.

Dëshmitarët thanë për Reuters se dëgjuan një shpërthim të madh, për të cilin një burim sigurie tha në shënjestër kishte një ndërtesë në distriktin Baçura, disa qindra metra nga Parlamenti.

“Një tjetër natë pa gjumë në Bejrut. Duke numëruar shpërthimet që po tronditin qytetin. Pa sirena paralajmëruese. Pa e ditur se çfarë vjen më pas. Vetëm pasiguria që na pret. Ankthi dhe frika janë të kudogjendura”, tha të enjten koordinatorja e posaçme e OKB-së në Liban, Jeanine Hennis-Plasschaert, në X.

Një grup i mbrojtjes civile, i lidhur me Hezbollahun, tha se shtatë pjesëtarë nga stafi i tij, përfshirë dy mjekë, u vranë në sulmin në Bejrut, për të cilin Izraeli tha se ishte një sulm ajror “i saktë”.

Izraeli gjithashtu tha se ka goditur një ndërtesë komunale në qytetin jugor libanez, Bint Jbeil, duke vrarë 15 anëtarë të Hezbollahut, ndërsa më shumë se një duzinë raketash izraelite goditën periferinë jugore të Dahieh, ku udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra javën e kaluar.

Tetë ushtarë izraelitë u vranë në luftimet tokësore të mërkurën në Libanin jugor.

Derisa ushtria izraelite po e vazhdon ofensivën në jug të Libanit, Izraeli është duke shqyrtuar opsionet për hakmarrje kundër Iranit për sulmin raketor të 1 tetorit.

Irani e përshkroi sulmin e tij të 1 tetorit si hakmarrje ndaj Izraelit për ofensivën në Liban dhe për luftën shkatërruese njëvjeçare në Rripin e Gazës, si dhe për vrasjen rishtazi të aleatëve kryesorë të Teheranit në rajon.

Irani tha të mërkurën se sulmi i tij me raketa – sulmi më i madh ndonjëherë kundër Izraelit – mori fund me kaq nëse nuk ka provokime të mëtejshme, por Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të përgjigjen fuqishëm.

Më shumë se 1.900 njerëz janë vrarë dhe mbi 9.000 të tjerë janë plagosur në Liban gjatë pothuajse një viti të luftimeve ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut, por shumica prej tyre janë vrarë vetëm në dy javët e fundit, sipas statistikave të Qeverisë libaneze.

Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, tha se rreth 1.2 milionë libanezë janë zhvendosur si pasojë e sulmeve izraelite.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të vazhdojë ta luftojë kërcënimin nga Hezbollahu dhe ta sigurojë kthimin e sigurt të izraelitëve të shpërngulur nga shtëpitë e tyre në kufi me Libanin./REL

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share